Rafael Nadal mundi 2-1 me sete belgun Zizou Bergs dhe u kualifikua në raundin e dytë të “Italian Open”. Spanjolli vazhdon ecurinë pozitive pas shqetësimeve fizike të pësuara kohët e fundit.

Nadal, i cili për herë të fundit e fitoi titullin në Romë në vitin 2021, pati një përballje të vështirë me 24 vjeçarin. Loja mes të dyve zgjati rreth 3 orë, por 22 herë fituesi i Grand Slamit tregoi qëndrueshmëri.

Rivali i radhës do të jetë polaku Hubert Hurkacz. Spanjolli analizoi paraqitjen pas lojës.

“Ndeshja nisi mjaft mirë për mua, por në vazhdim unë bëra një paraqitje mjaft të keqe. Jam i lumtur sepse në fund gjeta një mënyrë për të fituar pas kësaj, gjë që është shumë e rëndësishme për vetëbesimin tim, sepse kam luajtur sërish për gati tre orë dhe ndihem mirë. dhe kam mundësinë të luaj në dy ditë.”

Ish-numri 1 i botës e humbi setin e parë pas nisjes së mirë, ndërsa loja e tij u rrit në setin e dytë dhe të tretë. Nadal vuri në dukje faktin se ai nuk ka luajtur shumë tenis në dy vitet e fundit, por ai beson se mund të bëjë edhe më mirë në raundin pasardhës të “Italian Open”.

Klan News