Në konferencën e Durrësit kreu i qeverisë Fatos Nano ka kërkuar solidaritet politik në vend të klaneve që tentojnë ta çojnë partinë socialiste në opozitë.

Fatos Nano: “Gabohet cilido që mendon se ne socialistët jemi aq të shëndetshëm sa të shkojmë në zgjedhje si pelivanë me biçikletë në tel cirku.”

Në sallë mungonte mbështetësi i ish-kryeministrit Meta në Durrës, deputeti Spartak Braho për të cilin nuk munguan akuzat si një ndër pseudosocialistët e frymëzuar nga Berisha.

Fatos Nano: “Ka disa që nuk janë dakord me produktin e punës dhe të angazhimit tonë, sepse nuk shkon më në xhepat e tyre. Ka disa pseudosocialistë edhe këtu në Durrës që, të frymëzuar nga opozita destruktive dhe e pashërueshme e Sali Berishës, po bëjnë gjithçka për të na mposhtur, për të na përçarë, për të na çuar në opozitë.”

“Politikometri ynë sot tregon një stinë të nxehtë, të ndotur nga turlilloj fondamentalistësh me qira, hokatarë dhe mëkatarë, palaço dhe dylberë provincash, të cilët, në emër të mendimit ndryshe, po stisin dhe skenojnë bibla programesh për ta shndërruar moralin e tyre pervers në kolltuqe orgjish me vlerat dhe shancet tona.”

Kryeministri Nano i është kundërpërgjigjur akuzave të kundërshtarëve politikë brenda partisë për mosrealizim investimesh dhe vjedhje taksash duke treguar prioritetet më emergjente të qeverisë që ai drejton. Qejfmbetjet ndaj përfaqësuesve të mendimit ndryshe brenda partisë socialiste i shprehën dhe ministri i Bujqësisë Agron Duka si dhe i deleguari Bashkim Fino të sulmuar shpesh nga grupi kundërshtar i deputetëve në partinë socialiste.

Agron Duka: “ Besoj se, ashtu si dhe unë, as ju nuk e keni harruar alenacën e të majtit Meta me Berishën për rrëzimin e qeverisë socialiste. Nuk e di nëse Meta i quan këto aleanca konflikte interesash, por socialistët nuk lanë pa ia thënë se, për inat të Fatos Nanos, Meta nuk e ka për turp të flejë me mullixhiun Berisha.”

Bashkim Fino: “Toleranca jonë, durimi ynë vullneti për t’ia arritur dhe për ta ruajtur partinë e pacënuar dhe për ta çuar në fitore të reja elektorale, nuk mund të shpërblehet dhe s’mund të shpërblehet kurrsesi duke thyer vezë në portretin e Nanos dhe të Finos nga deputetë socialistë. Unë nuk kam nevojë të hetoj se nga cila pulari erdhën vezët pasi problemin e kemi në kotecin tonë socialist.”

E vetmja kandidaturë për kryetar partie në Durrës ishte deputeti Gazmir Bizhga, i cili, është votëbesuar nga këshilli lokal drejtues dy muaj më parë gjatë konferencës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë menjëherë pas mangësive që u shfaqën pas zgjedhjeve vendore. /tvklan.al