Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar planet e shpallura nga ushtria për të mbajtur pauza taktike ditore në luftime për të lehtësuar dërgimin e ndihmave.

“Kur kryeministri dëgjoi raportet e një pauze humanitare, ai iu drejtua sekretarit të tij ushtarak dhe ia bëri të qartë se kjo ishte e papranueshme për të”, tha një zyrtar izraelit. Ndërsa ushtria këmbëngul se nuk do të ketë ndërprerje të luftimeve në Gazën jugore, ajo gjithashtu ka bërë të ditur se rruga e re do të ishte e hapur gjatë orëve të ditës ekskluzivisht për transportin e ndihmave humanitare.

Reagimi nga Netanyahu nënvizon tensionet politike lidhur me çështjen e ndihmave që vijnë në Gaza, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar për një krizë humanitare në rritje.

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, i cili drejton një nga partitë fetare nacionaliste në koalicionin qeverisës të Netanyahut, denoncoi idenë e një pauze taktike.

Tensionet brenda qeverisë janë rritur midis anëtarëve të koalicionit dhe ushtrisë mbi drejtimin e luftës një paralajmërim të cilin e bëri edhe ish-gjenerali Benny Gantz i cili u largua nga qeveria, duke akuzuar Netanyahun se nuk kishte strategji efektive në Gaza.

Ushtria tha se një pauzë taktike do të fillonte në zonën Rafah në orën 8 të mëngjesit dhe do të qëndronte në fuqi deri në orën 19:00 sipas kohës lokale. Pauzat do të bëheshin çdo ditë deri në një njoftim të dytë. Kjo synon të lejojë kamionët e ndihmave të arrijnë në vendkalimin e afërt të kontrolluar nga Izraeli Kerem Shalom, pika kryesore hyrëse për ndihmën, dhe më pas do të udhëtojnë të sigurt në autostradën Salah a-Din, një rrugë kryesore veri-jug, për të shpërndarë furnizime për të tjerët.

Pauza po koordinohej me OKB-në dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës. Nga 6 maji deri më 6 qershor, në Gaza kanë hyrë mesatarisht 68 kamionë ndihma në ditë, sipas shifrave nga Zyra Humanitare e OKB-së.

Një hetim i Associated Press së fundmi ka gjetur të paktën 60 raste në të cilat familjet në Gaza kanë humbur të paktën 25 anëtarë të tyre nga sulmet e Izraelit gjatë luftës së tij në Gaza. Gati një e katërta e këtyre familjeve humbën më shumë se 50 anëtarë të familjes në ato javë.

Vrasja e familjeve ndër breza është një pjesë kyçe e çështjes së gjenocidit kundër Izraelit. Ndërkaq dhjetra mijëra protestues u mblodhën në Tel Aviv pasi dolën në rrugë duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve.

Protestat u mbajtën në sheshet e Tel Avivit, njëra kundër qeverisë izraelite, tjetra duke bërë thirrje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, duke u bashkuar për të bllokuar rrugët në qytet. Pavarësisht rritjes së presionit ndërkombëtar për një armëpushim, një marrëveshje për ndalimin e luftimeve duket ende e largët, më shumë se tetë muaj që nga fillimi i luftës në tetor, me luftimet që intensifikohen edhe me Hezbollah në Libanin jugor.

Klan News