Janë nxjerrë nga rrënojat e pallatit pesëkatësh tre viktimat e tragjedisë së Gjirokastrës.

Bëhet fjalë për 65-vjeçaren, Parashqevi Zoto, 35-vjeçaren, Valbona Dalani, dhe vajzën e saj vetëm 13 vjeç, Anxhela Dalani.

Trupi i pajetë i së moshuarës, e cila banonte në katin e katërt, është gjetur rreth orës 11:00 të paradites nën gërmadhat e shembura në pjesën e pasme të ndërtesës.

65-vjeçarja është zënë poshtë nga masivë të mëdha betoni dhe materialesh të tjera të ngurta.

Këto janë dhe pamjet gjatë momentit të gjetjes së trupit nga ekipet e kërkim-shpëtimit që nisën sërish operacionin në orët e para të mëngjesit.

Dy orë më vonë nga rrënojat është nxjerrë dhe trupi i 35-vjeçares, Valbona Dalani. Ajo është gjetur në pjesën e përparme të ndërtesës.

Banesa e saj ndodhej në katin e parë të pallatit dhe kjo mendohet të mos i ketë dhënë asnjë mundësi shpëtimi.

Rreth orës 14:45 është gjetur dhe trupi i pajetë i 13-vjeçares, Anxhela Dalani. Forcat e emergjencës e kanë nxjerrë atë pak metra larg vendit ku u gjet nëna e saj.

Rreziku i shembjes së pjesës së mbetur të ndërtesës ka bërë që grupet e kërkim-shpëtimit të tregohen të kujdesshëm në heqjen e masivëve të betonit.

Në ndihmë të familjeve të dëmtuara prefektura e Gjirokastrës ka hapur një numër llogarie për të gjithë kontribuuesit.

Spiro Ksera: “Për t’u ardhur në ndihmë banorëve të pallatit të shkatërruar është hapur numri i llogarisë 0001949800 në Raiffeisen Bank”./tvklan.al