Ndonëse qeveritë e vendeve ekonomikisht të zhvilluara kanë ndërhyrë fuqimisht për të minimizuar pasojat e krizës financiare globale, Fondi Monetar Ndërkombëtar, paralajmëron përkeqësim të saj. Të paktën deri në vitin 2010, ekonomia botërore nuk do ta marrë veten, parashikon FMN, sipas te cilit kriza do të përkeqësohet edhe pasiguria do te vazhdojë edhe në dy vitet e ardhshme.

Ekspertët e ekonomisë thonë se  ka mungesë likuiditeti për të zgjidhur problemet. Mjaft prej tyre këshillojnë që bankat qendrore të rrisin normat e interesit sa më shumë të jetë e mundur për t’i bërë ballë kësaj situate. E në këtë periudhë pasigurie, qeveria amerikane duket se po bën përpjekjet më të forta për t’i dhënë zgjidhje krizës. Lëvizja e saj e fundit parashikon një ndihmë direkte prej 20 miliardë dollarësh për gjigandin Citigrup, pjese e 306 miliardë dollarëve garanci për likuiditetin e kësaj banke kredish, më e fuqishmja në botë, e cila e shtrin aktivitetin e saj në 100 vende të botës, me mbi 200 milionë klientë.

Gjithsesi, edhe në ekonominë amerikane gjithçka duket e paqartë, të paktën deri në marrjen e detyrës së presidentit te ri, Barack Obama i cili sot ka shpalosur emrat e rinj të administratës së tij, Timonti Gejtner si kreun e ri të Thesarit, Llorenc Samërs si këshilltarin kombëtar për ekonominë në shtëpinë e bardhë, Melodi Barns si drejtues të këshillit për politikat e brendshme dhe Kristina Romer kryetare të këshilltarëve ekonomikë.

Gjatë konferencës në Çikago ai foli për një plan agresiv ekonomikë i cili pritet të marrë jetë nga kongresi muajin e parë të 2009-ës. Sipas Obamës, vendi ka nevojë për një plan stimulues, i cili do të tronditë vërtet sistemin aktual ekonomik./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj

Montazh: Vilma Halilaj