Buxheti suplementar me një vlerë prej rreth 270 milion dollarësh është miratuar në seancë plenare vetëm me votat e mazhorancës 72 pro, 18 kundër dhe 3 abstenime. Sipas deklaratave të kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave Ridvan Bode, pjesa më e madhe e parave të këtij buxheti do të shkojnë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në vend. Berisha tha se ky buxhet erdhi si rezultat i shembjes së kleptokracisë.

Sali Berisha: “Buxheti që ne sjellim në parlament është dëshmia më e ndritur, më e shkëlqyer e shembjes, e kolapsit përfundimtar të sistemit  të kleptokracisë që ishte instaluar në Shqipëri. Sistemi që ishte i bazuar tërësisht në vjedhjen e taksave të tatimeve, të ardhurave të qytetarëve shqiptarë.”

Ridvan Bode: “Meqenëse ne ndryshuam rregulluat e lojës ju sollëm këtë buxhet. Që të ulim deficitin total sipas kërkesave që ka pasur fondi monetar  ndërkombëtar. Është për këtë arsye pra që ky buxhet është një buxhet realist dhe pozitiv .”

Opozita ashtu si dhe në deklaratat e këtyre ditëve gjatë shqyrtimit të buxhetit shtesë të qeverisë e kundërshtoi atë duke e votuar kundër, nën argumentimin se ky buxhet trajton në mënyrë diskriminuese biznesin e vendit.

Arben Malaj: “Nga dhjetori i 2007 kur na deklaruat se të gjitha kontratat i kishit firmosur dhe këto para do të vinin lumë në ekonominë shqiptare. Në korrik të vitit 2008 shkurtohen investimet e huaja për 31% ose konkretisht për 274 milion dollar.”

Kuvendi miratoi gjithashtu dhe ligjin për barazinë gjinore dhe disa projektligje të tjera pjesë e rendit të ditës./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama