Humbja me Italinë djeg, megjithatë ndeshja tjetër me Kroacinë është vetëm tre ditë larg. Në këtë mënyrë, kuqezinjtë duhet të shohin para për t’u përgatitur ndaj kundërshtarëve ballkanas në një ndeshje ku nuk do të mungojë sërish mbështetja e tifozëve shqiptarë.

Pas sfidës së humbur mbrëmë, skuadra është kthyer në “bazën” e saj në Gjermani në SportCentrum Kaiserau. Gazetari Glendi Tafaj ishte i pranishëm atje ku pati një lidhje live me edicionin e lajmeve në Tv Klan për të na treguar më të rejat. Situata është e qetë, por mes futbollistëve të Shqipërisë dallohet zhgënjimi pas humbjes.

“Situata është e qetë, pas një rezultati që nuk shpërbleu prtishmëritë që kishim. Dallova në komunikimet mes futbollistëve një lloj zhgënjimi, një lloj mërzie sepse patëm një rast ku mund të barazonim ndeshjen.

Ajo që vura re është që futbollistët pavarësisht një humbje që mund të qëndrojë kundër kampionëve të Europës nuk është se ishin shumë të kënaqur me rezultatin,. Por edhe me performancën e tyre dhe e kanë të qartë që mund të bëjnë pak më tepër”, raportoi gazetari Tafaj.

Këtë të diel zhvillohet sërish një seancë stërvitore, por janë përfshirë lojtarët që nuk luajtën ndaj Italisë. Titullarët priten t’i nënshtrohen një stërvitjeje rikuperuese. Ndërkohë Silvinjo ka lejuar lojtarët që pas stërvitjes të takojnë familjarët në mënyrë që të rikuperohen edhe psikologjikisht pas humbjes.

“Trajneri ka lejuar lojtarët që pas seancës stërvitore, pas konsumit të drekës, të jenë me familjarët e tyre për rreth 6-7 orë, kush ka mundësi që të takojë familjarët në mënyrë që të jenë më të relaksuar dhe të rikuperohen psikologjikisht pasi një humbje sido që të jetë kundër kujtdo që vjen ka një ngarkesë psikologjike më të madhe dhe Silvinjo ka lejuar lojtarët që të takojnë familjarët e tyre”, tha gazetari Glendi Tafaj.

Shqipëria do të luajë me Kroacinë në Hamburg më 19 Qershor në orën 15:00. Ndeshja do të transmetohet në Tv Klan./tvklan.al