Shqipëria u mposht minimalisht në ndeshjen e fundit të Grupit B nga Spanja. Kuqezinjtë humbën 0-1 ndaj Spanjës, duke mbyllur kështu edhe rrugëtimin në Europian.

Vendosi një gol i shënuar nga Ferran Torres në minutën e 13-të. Pjesa e parë foli më shumë për spanjollët, ndërsa në të dytën, Shqipëria iu afrua golit të barazimit, por Raya me disa pritje të bukura, e mbajti portën e paprekur.

Kombëtarja shqiptare mbyll rrugëtimin në Euro 2024, në vendin e fundit të Grupit B, me 1 pikë të grumbulluar. Në përfaqësimin e dytë në Europian, Shqipëria regjistroi një barazim ndaj Kroacisë 2-2, ndërsa u mposht nga Italia me rezultatin 2-1 dhe nga Spanja 0-1.


SHQIPËRISPANJË 0-1

Torres 13′


Ndeshja minutë pas minute:

Mbyllet ndeshja!

92’- Mundësi e artë shënimi. Broja i afrohet barazimit, Raya bën një pritje spektakolare.

91’- Berisha kërkon penalti në zonë, arbitri vazhdon lojën.

90′- Akordohen 4 minuta shtesë!

89’- Vivian ndëshkohet me karton të verdhë. Ndali në mënyrë të gabuar Brojën.

88’- Ndëshkohet me karton të verdhë Medon Berisha, për ndërhyrje të gabuar ndaj Fermin Lopez.

86’- Mundësi shumë e mirë e shpërdoruar nga Shqipëria. Berisha, gabon në pasimin e fundit.

84’- Aksion i shpejtë i Shqipërisë, me Asllanin që pason te Hoxha. Sulmuesi futet në zonë dhe gjuan, por nuk ka koordinatat e duhura dhe topi shkon shumë larg.

81’- Largohet Jasir Asani dhe futet në lojë Ernest Muçi.

79’- Medon Berisha provon gjithashtu me një gjuajtje nga jashtë. Topi devijohet dhe pret Raya me lehtësi.

77’- Kristjan Asllani lëshon një predhë me të majtën. Topi përshkruan pasqyrën e portës dhe shkon jashtë.

76’– Strakosha i mohon golin e dytë Moratës. Arbitri akordon pozicion jashtë loje.

71’- Dy zëvendësime edhe te Spanja. Largohen Joselu dhe Torres, për t’i lënë vendin Moratës dhe Yamal.

70’– Dy zëvendësime te Shqipëria. Hoxha dhe Medon Berisha, marrin vendin e Laçit dhe Bajramit.

66’- Bajrami bie në afërsi të zonës dhe pretendon për faull. Arbitri e ndëshkon për simulim.

65’- Mundësi e artë shënimi për Shqipërinë. Asllani ekzekuton shpejt një goditje dënimi dhe pason te Broja. Sulmuesi gjuan bukur, por Raya bën heroin dhe mban portën e paprekur.

58’- Zëvendësim te Shqipëria. Largohet Rei Manaj dhe futet Armando Broja.

55’- Nedim Bajrami futet bukur në zonë. Navas me eksperiencë ndal rrezikun.

51’- Bajrami dhe Mitaj nisin një aksion të rrezikshëm, arbitri ndal për faull. Silvinjo nuk është dakord dhe proteston. Ndëshkohet me të verdhë për protesta.

50’- Aksion i mirë për Shqipërinë, me Jasir Asanin dhe Laçin në të majtë. Manaj nuk arrin dot krosimin në zonë. Në vazhdim të aksionit, Olmo provon të surprizojë nga mesfusha, por topi shkon jashtë.

48’- Gabon Bajrami me një top të kthyer mbrapa, duke e dërguar te Joselu, i cili provon të kombinojë me Oyarzabal. Mbyll Strakosha.

47’- Shpëton për mrekulli Shqipëria. Joselu provon me një vole, pas krosimit të marrë nga Grimaldo. Topi shkon ngjitur me shtyllën.

45′- Starton pjesa e dytë!

Mbyllet pjesa e parë.

45′- Raya i mohon supergolin Kristjan Asllanit. Mesfushori provon me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone, por gjen reagimin e shkëlqyer të portierit spanjoll.

44’- Merino shpërdoron një penallti në lëvizje, pas pasimit të marrë nga Grimaldo.

43’- Aksion shumë i bukur i Spanjës. Torres kombinon në zonë me Dani Olmo, ky i fundit provon një pasim me finte te Oyarzabal, por Ajeti e mbyll në fund.

41’- Me fat Shqipëria. Grimaldo kroson në zonë, tentativa e Torres me kokë, shkon mbi portë.  

39’- Mitaj nis një kundërsulm të shpejtë. Mbrojtësi pason për Bajramin, i cili niset në drejtim të portës, por vonohet shumë dhe humbet topin.

38’- Raya gabon me një gjuajtje, që përplaset në trupin e Laporte, por portieri korrigjon gjithçka dhe e ndal rrezikun.

36’- Mitaj gabon në tentativë për ta larguar dhe dorëzon topin te lojtarët e Spanjës. Në momentin e fundit, Berat Gjimshiti, ndal Olmon.

34’– Tjetër vertikalizim për Torres nga Olmo, sulmuesi provon me një krosim në zonë, Balliu largon rrezikun me kokë.

33’- Ndërhyrje vendimtare e Arlind Ajetit, që largon një top që po shkonte te Joselu.

32’- Tjetër pretendim për goditje dënimi nga Rei Manaj në hyrje të zonës. Gjithçka e rregullt sipas arbitrit të ndeshjes.

30’- Jasir Asani gabon gjithçka. Tentativa për të krosuar shkon shumë larg portës së mbrojtur nga Raya.  

26’– Strakosha grushton një top që po shkonte te Joselu. Kuqezinjtë e kanë të vështirë për të dalë përpara.

23’- Rei Manaj nis një aksion të rrezikshëm, por ndalet në mënyrë të parregullt në mesfushë. Merino falet nga arbitri dhe nuk ndëshkohet me karton të verdhë.

16’- Laçi futet bukur në zonë, por ndalet në momentin e fundit dhe i jep mundësinë spanjollëve të vendoset prapa.

13’- Zhbllokohet sfida! Spanja kalon në avantazh me Ferran Torres. Navas vertikalizon bukur dhe i vetëm në zonë, futbollisti i Barcelonës nuk fal, duke e ndalur topin në rrjetë.

12’- Gjuajtja e parë në portë. Merion provon me kokë, por Strakosha i vëmendshëm ndal topin.

11’- Jasir Asani lexon një aksion të rrezikshëm të Spanjës dhe nis menjëherë kundërsulmin. Bajrami qetëson lojën.

5’- Goditja e parë nga këndi. Asllani provon me një krosim nga e majta, por gjen devijimin e Navas.

3’- Mitaj largon me kokë një krosim të Grimaldos nga e majta.

2’- Krosim i rrezikshëm i Bajramit nga e djathta. Shqipëria pretendon për penallti, për prekje me dorë në zonë. Arbitri vazhdon lojën.

1’- Spanja qarkullon topin në prapavijë, menjëherë presing i Shqipërisë.

Nis sfida Shqipëri-Spanjë!


FORMACIONET ZYRTARE:

SHQIPËRIA: Strakosha, Mitaj, Gjimshiti, Ajeti, Balliu, Asllani, Ramadani, Laçi, Bajrami, Asani, Manaj.

SPANJA: Raya, Grimaldo, Laporte, Vivian, Navas, Merino, Zubimendi, Oyarzabal, Olmo, Torrres, Joselu.

/ tvklan.al