“Vota preferenciale, pjesë e ndryshimeve kushtetuese”

Të gjitha gjetjet që do të dalin nga komisioni hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, demokratët do të kërkojnë që të reflektohen tek ndryshimet e Kodit Elektoral. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Alfred Rushaj thotë se ato do të përmirësojnë më tej edhe amendimet kushtetuese të opozitës, që sipas tij synojnë zhbërjen e ndryshimeve në ligjin themeltar të shtetit të bëra në 30 korrikun e 2020-ës.

“Gjetjet që do dalin nga ky komision hetimor do duhet të reflektohen tek ndryshimet e Kodit Zgjedhor që do duhet të bëjnë palët.”

Pjesë e propozimeve për reformën zgjedhore demokratët thonë se krahas ndryshimit të sistemit do të jetë edhe vota preferenciale.

“Tek propozimi jonë vota preferenciale është e përfshirë. Janë gjëra teknike që do detajohen. Në parim ne jemi për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”

Ndonëse kërkojnë rikthimin e komunave në hartën territoriale, demokratët ende nuk kanë një propozim konkret.

“Nuk do të doja që e gjithë vëmendja të kufizohej tek nëse duhet të ketë 60 komuna, 30 komuna apo 10 komuna. Ndarja territoriale në disa raste është bërë jo duke pasur parasysh, Kushtetutën, por mbi bazën e interesit të ngushtë politik.”

Lidhur me Vetting-un në politike Rushaj sqaron se është zgjedhur i njëjti standard si ai për magjistratët.

Tv Klan