Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar, DFID, ka mbyllur programin e tij të ndihmës bilaterale në vendin tonë. Pasi tashmë nuk e konsideron më Shqipërinë si vend të varfër, por me të ardhura mesatare. Në ceremoninë e mbylljes së këtij programi që operonte në Shqipëri që prej vitit 1995, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë u shpreh, se Shqipëria ka shënuar progres në përmbushjen e objektivave.

Fraser Wilson:Shqipëria është klasifikuar nga vendi më i varfër i Europës në vend me të ardhura mesatare. Ka pasur progres real në përmbushjen e objektivave të zhvillimit të mijëvjeçarit. Interesi i sektorit privat për të investuar në Shqipëri është rritur vazhdimisht dhe mbase akoma më e rëndësishme Shqipëria është gati duke u anëtarësuar në NATO dhe është në një rrugë të hapur drejt integrimit europian.”

Me rastin e mbylljes së këtij programi drejtori për Europën dhe Marrëdhëniet me donatorët e Departamentin Britanik për zhvillim ndërkombëtar Antoni Smith, i shoqëruar edhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe janë pritur nga kryeministri Berisha. Ata e siguruan kreun e qeverisë se pavarësisht mbylljes së misionit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë partneri i Shqipërisë në procesin e saj për integrim dhe se vendi ynë do të ketë mbështetjen e saj politike e financiare, por tashmë nëpërmjet programeve të asistencës së Bashkimit Evropian.

Nga ana e tij kryeministri Berisha shprehu falënderime për ndihmën që departamenti britanik për zhvillim ndërkombëtar i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, ndihmë kjo që arrin rreth 20 milion euro./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami

Operator: Ben Haxhiaj