Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ende pa kaluar dy javë nga vrasja e bujshme tek kartodromi në periferi të kryeqytetit, u ekzekutua një nga biznesmenët më të fuqishëm. 36 vjeçari Florian Vila, pronar i firmës Flevi, u qëllua për vdekje me armë zjarri pranë banesës së tij në të hyrë të Tiranës. Policia ngriti disa pista hetimi dhe ndërtoi dhe atë të gjobvënies.

Autorët e krimeve të tilla i përdorin ato si presion ndaj biznesmenëve të tjerë, për t’ju përcjellë mesazhin, se do të kenë të njëjtin fund, në se nuk i përgjigjen gjobës së kërkuar prej tyre. Megjithatë kjo është një nga disa pistat e hetimit. Ndërkohë konfirmohet, se Florian Vila qe një nga pronarët taksapagues më të rregullt ndaj shtetit.

Gjatë kësaj jave u çel një nga dosjet më të bujshme, për të ashtuquajturin “skandal i pasaportave” me katër të pandehur, zyrtarë të Ministrisë së Rendit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Ish-zv/ministri i Rendit Bujar Himçi, drejtori i rendit Veli Myftari, ish-drejtori i Prokurimit Publik në Këshillin e Ministrave Arben Prifti, u njohën edhe njëherë me akuzat në seancën e parë çështjes. Ata janë të pandehur si shkaktar të dëmit prej më shumë se një milion dollarësh buxhetit të shtetit, si pasojë e shkeljeve të procedurave në tender dhe parregullsive në kontratën me firmën fituese gjermane të prodhimit të pasaportave.

Ish-shefi i prokurimit në Ministrinë e Rendit Edmond Aliaj, gjykohet në mungesë, jo vetëm për këtë tender por edhe atë të karburantit. Ndërkohë që gjatë zhvillimit të hetimeve u deklarua, se dëmi që kishte pësuar buxheti i shtetit nga tenderi i pasaportave ishte 2.8 milion dollarë, dëmi që paraqiti akuza në gjyq ishte sa 1/3 e kësaj shume. Megjithatë, asnjë nga ish-zyrtarët e pandehur nuk e ka pranuar akuzën.

Ndërkohë, për çështjen më të madhe të trafikut të drogës, pritet të jepet vendimi në fillim të javës së ardhshme. 6 të pandehurit e çështjes kokaina, Koçiu, Durda, Përballa, Nan, Hysi e Gjonaj, u vetdeklaruan të pafajshëm për krijimin e organizatës kriminale me qëllim trafikimin e kokainës. Disa ditë më parë, akuza kërkoi gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare të çështjes, dënimin e tyre, me 84 vjet e 6 muaj burg gjithsej.

Në Gjykatën e Tiranës, u depozitua së fundmi dosja me vendimin e Gjykatës së Milanos, e cila e ka dënuar Arben Grorin me burgim të përjetshëm, me akuzën e vrasjes të shqiptarit Naim Zyberi në Itali. Kjo dosje u rikthye për të dytën herë, në gjykatën e shkallës së parë, pasi kaloi në gjykatat e shkallëve më të larta, deri tek ajo Kushtetuese. Fillimisht Gjykata e Tiranës dhe Apeli nuk e njohën vendimin për Grorin, i cili po gjykohet ndërkohë për trafik ndërkombëtar të heroinës. Por Gjykata e Lartë vërejti parregullsi dhe vendosi që kjo dosje të shqyrtohet edhe njëherë nga e para.

Në fund të kësaj jave, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama dhe ish-kreu i SHISH Fatos Klosi, u paraqitën në Prokurorinë e Tiranës, secili për çështjet e nisura ndaj tyre. Kryebashkiaku Rama dha deklarime pak ditë pasi kryetari i komisionit parlamentar hetimor për veprimtarinë e tij, Sokol Olldashi e denoncoi për shpërdorim të detyrës dhe pengim të veprimeve për zbardhjen e së vërtetës. Rama është pyetur për gjysmë ore në prokurori dhe është shprehur i qetë dhe ironik ndaj kallëzimit të zotit Olldashi.

Ndërsa ish-kreu i SHISH Fatos Klosi u paraqit për të tretën herë në organin e akuzës. Ai vijoi me deklarimet për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe konkretisht të fondeve financiare të institucionit që ka drejtuar. Klosi vetdeklarohet i pafajshëm për këtë vepër penale./tvklan.al