Toka, deti apo ajri. Kur përmendim këto tre elementë na shkon menjëherë mendja tek “South Outdoor Festival” që prej 7 vitesh e kthen rivierën e Jugut në një festë të vërtetë, e sidomos Borshin.

Edhe në edicionin e 7-të kishte vend për çdo grupmoshë duke nisur nga fëmijët. Për të vijuar me familjet e tyre… Për të rinjtë që u argëtuan 24 orë non stop sidomos buzë detit.

Dhe padiskutim ata që adhurojnë adrenalinën dhe aventurën që ofron ““South Outdoor Festival”.

Mbi 80 aktivitete të ndryshme sportive, artistike, socio-kulturore dhe nga më të larmishmet ishin pjesë e festës në Borsh këtë vit. Padiskutim çdo mbrëmje u finalizua me koncertin e madh në skenën e madhe, ku në natën e parë performuan legjendat e Hip-Hopit si Ledri Vula, MC Kresha & Lyrical Son, Lumi B e shumë të tjerë.

Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme me vizitorë vendas dhe turistë të huaj që prej natës së parë më 23 Maj e deri në përmbyllje me 26 Maj. Edhe nata e dytë e festivalit në Borsh pati performanca të jashtëzakonshme me artistë si Capital T.

Për të vijuar më tej atmosfera me DJ e famshëm ndërkombëtar Kryder. Dyshja e binjakëve australianë “NERVO” e kaluan në një tjetër nivel atmosferën në përmbyllje të natës së dytë të festivalit në Borsh.

Le të kthehemi sërish në plazh në ditën e tretë, ku performuan në skenën buzë detit Dj më të mirënjohur vendas dhe të huaj.

Edhe aventurat e ditës së tretë vijuan në “South Outdoor Festival”. Pavarësisht reshjeve të shiut, festa nuk u ndal as në natën e tretë të “South Outdoor Festival”. Artistët ndërkombëtarë të muzikës Latino-Dance “Cumbiafrica” hapën festën e mbrëmjes.

Nuk mund të mungonte në këtë edicion të 7 edhe artisti i mirënjohur Eugent Bushpepa me performancat e tij. Mbrëmja festive u kurorëzua me atmosferën spektakolare të artistit me famë ndërkombëtare Gims.

Për Drejtorin e Komunikimit, Eraldo Rexho edicioni i 7 i “South Outdoor Festival” ka qenë padiskutim një sukses i garantuar.

Eraldo Rexho: Ne çdo vit themi që “SouthOutdoor” tejkaloi veten, padiskutim fakti që mbërrijmë deri në vitin e 7-të tregon që ky festival rritet vit pas viti. Edhe këtë vit rritja ishte e dukshme, qoftë në pjesëmarrjen e lartë të të rinjve, të të gjitha familjeve që duan të kalojnë një fundjavë të bukur. Ajo që na gëzon është pjesëmarrja e lartë e turistëve të huaj, që kanë kaluar dhe kontinentin ndoshta…

Por cilat ishin disa nga pikat më të forta që e bënë edhe më të suksesshëm edicionin e 7?

Eraldo Rexho: Kemi tashmë shtylla të ngritura dhe themele të forta prej edicionit të parë deri më sot. Ato janë sportet e aventurës, outdoor-i është pika më e fortë, sporte që zhvillohen në natyrë. Të gjitha bashkë në vetëm 4 ditë. Është diçka që na identifikon dhe na bën të veçantë në tregun e eventeve në Shqipëri. Sigurisht dhe muzika.

Edicioni i 8 i “South Outdoor Festival” vjen shumë shpejt, ndaj bëhuni gati për aventurat dhe argëtimin e radhës në pranverën e 2025.

Klan News