Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia e Tiranës, ka arritur të vërë nën pranga një grup me tre persona, që merrej me shpërndarjen e drogës dhe falsifikime dokumentacioni. Ky grup ushtronte veprimtarinë e tij në rrugën “Myslum Shyri”, si dhe në “Allias”, të Tiranës. Pas një faze të grumbullimit të informacionit nga zyra e anti-drogës dhe zyra e krimit ekonomik, janë arrestuar Lulzim Allushi, Dhimitër Rrapi dhe Aleksandër Budo, të cilët janë kapur në flagrancë me një sasi me më shumë se 1 kg heroinë e pastër, për shpërndarje.

Gjithashtu, nga kontrollet e bëra janë bllokuar në cilësinë e provës materiale dy peshore për ndarjen e drogës në doza, përveç shpërndarjes së mallit tre personat kanë bashkëpunuar dhe në falsifikim të dokumenteve zyrtarë. Për këtë ata dispononin disa vula të falsifikuara dhe dy kuti me germa, për realizimin e këtyre vulave.

Në momentet e kontrollit, njërit nga personave, u është gjetur dhe një kallashnikov dhe një granatë defensive. Ndërsa aktivitetet e paligjshme të tre personave, kanë të bëjnë dhe me shitjen në treg të zi të një lingote të artë me peshë 250 gramë, e cila u bllokua nga sektori i anti-krimit ekonomik dhe financiar.

Gjithashtu, policia ka bllokuar dhe disa dollarë falsë dhe pulla fiskale të Ministrisë së Financave. Ndaj tre personave ka filluar procedim penal në bazë të provave flagrante të bllokuara, si droga, arma dhe mjetet e falsifikuara./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj