Besimtarët myslimanë kanë marrë urime për Kurban Bajramin edhe nga krerët e politikës. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që besimtarët t’i urojë nëpërmjet një fotoje të postuar në “Faebook”, krahas së cilës shkruan “Gëzuar Kurban Bajramin”.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj teksa uron besimtarët nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, thotë se Kurban Bajrami është një akt hyjnor që jep mesazhin për të mbështetur njerëzit në nevojë, duke reflektuar për një shoqëri më të mirë dhe të drejtë.

“Përzemërsisht i uroj Kurban Bajramin besimtarëve myslimane shqiptarë! Kurban Bajrami bart mesazhin e sakrificës sublime duke mundur egoizmin, zemërimin dhe lakminë. Kurban Bajrami është akt arsyeje dhe vullneti, me anë të të cilit ne kuptojmë madhështinë e mesazhit hyjnor dhe përpiqemi të përmbushim rolin tonë për të bërë të mira e për t’iu gjendur pranë atyre që nuk kanë mundësi. Vetëm ky reflektim i gjithsecilit bën të mundur një shoqëri më të mirë e më të drejtë. Gëzuar për shumë vjet Kurban Bajramin!”

Besimtarët janë uruar edhe nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila thotë se Kurban Bajrami tregon dashurinë ndaj zotiti si dhe sakrificën e njerëzve për të ndihmuar njëri-tjetrin.

“Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, uroj besimtarët myslimanë dhe qytetarët që festojnë e ndajnë me ta harenë e kësaj dite të bukur. Kjo ditë na frymëzon që dashurinë për Zotin ta kemi edhe për njëri-tjetrin, sakrificën në emër të besimit ta bëjmë pjesë të jetës, përkushtimin ndaj Zotit ta tregojmë edhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne. Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë!”

Edhe ish-kryeministri Sali Berisha uroi besimtarët në ditën e shenjtë duke thënë se Kurban Bajrami i ardhshëm do i gjej më mirë shqiptarët.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Të dashur miq, sot muslimanët shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që janë festojnë Kurban Bajramin, ditën e mëshirimit, durimit, përkushtimit dhe sakrificës të njeriut për Krijuesin, veten, familjen, vendin e tij. Le t’i urojmë ne së bashku nga zemra të dashur miq, çdo besimtari musliman si dhe mbarë shqiptarëve, Gëzuar këtë ditë të shenjtë dhe t’i lutemi Zotit të pranojë dhe shpërblejë me të mirat e tij çdo durim, sakrificë e përpjekje të çdo shqiptari. Bajrami që vjen më mirë të na gjej!”

Kurban Bajrami është uruar dhe kryetari i PL, Ilir Meta dhe nga Lulzim Basha.

Klan News