Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Në përfundim të karrierës ushtarake, Gjeneral Brigade Aleks Andoni është dekoruar sot nga Presidenti Mejdani me Medaljen e Artë të Shqiponjës. Në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, ushtarakë të lartë, koleg dhe miq të gjeneral Andonit kanë marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit.

“Punë e palodhur në reformimin dhe riorganizimin e ushtrisë shqiptare” është motivacioni i dekoratës. Medaljen e Artë të Shqiponjës, Andonit ia ka dorëzuar Ministri i Mbrojtjes Ilir Gjoni. Vetë Aleks Andoni, ka falënderuar të gjithë kolegët dhe miqtë, si dhe Presidentin e Republikës për këtë medalje.

“Nuk mund të lë pa kujtuar në këtë moment edhe mundimin e të gjithë oficerëve shqiptarë në mbrojtje të reparteve ushtarake, ku vetëm pas vitit ’97, 15 oficerë kanë rënë në mbrojtje të ushtrisë shqiptare, ose duke çminuar zonat e banuara” është shprehur vetë gjeneral Andoni.

Karriera e Aleks Andonit përfundon me detyrën Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare./tvklan.al