Në një mbledhje me deputetët e PS dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, Kryeministri Edi Rama foli gjatë për procesin e hapjes së kapitujve me BE-në dhe procesin e përafrimit të legjislacionit.

Në këtë proces janë të përfshira të gjitha institucionet e pavarura të vendit.

Që e gjithë puna të bëhet e koordinuar në këtë proces, Kryeministri Rama tha se do të jetë kuvendi përmes komisionit të posaçëm që do të vëzhgojë punën e institucioneve të pavarura për procesin e përafrimit të legjislacionit.

“Ky proces është i domosdoshëm dhe vetëm fakti që përveç nesh që e morëm përsipër, askush tjetër nuk e kupton dhe prandaj e keqinterpreton. Vetëm ky fakt tregon se sa i rëndësishëm është roli ynë dhe e domosdoshme është që kjo punë të bëhet duke pasur në Kuvendin e Shqipërisë një sy që është sot komisioni i posaçëm, i cili me fuqinë që ka kuvendi të mund të shohë dhe ndjekë këtë proces duke e shfrytëzuar kapacitetin që i jep Kushtetuta dhe ligji që ta koordinojë këtë proces, këtë skuadër të përbërë nga një numër aq i madh institucionesh. Institucionet zbatuese janë institucione drejtpërdrejt që lidhen me ekzekutivin dhe një pjesë shumë e madhe janë institucione të pavarura zbatuese.

Kush e garanton popullin, shtetin, që gjithë kjo masë institucionesh që është detyrimisht pjesë e kësaj skuadre kombëtare do të luajë si skuadër? Kush ja jep garancinë Shqipërisë që në tryezën e negociatave nuk do ketë disa lojtarë që do shkëlqejnë, disa lojtarë që do ia hedhin fajin shokëve dhe disa lojtarë që do paraqesin raport për mosparaqitje në ndeshje? Sepse janë institucione të pavarura. Kush i kërkon llogari? Qeveria? E pamundur. Ka vetëm një institucion sipas Kushtetutës ku mund të kërkohet llogari për këdo kurdoherë, Kuvendi. Dhe mbi ç’bazë? Këtë duhet të bëjë ky proces, në fund fare ky proces duhet t’i japë Kuvendit dhe gjithë pjesëve të skuadrës tonë kombëtare një plan, një udhërrëfyes të kalendarizuar.

Ajo nuk dihet dhe ajo që nuk mundet dot ta bëjë askush tjedtër përveç nesh, është si dhe kur? Se çfarë dihet, por si dhe kur këtë duhet ta bëjmë ne. Nuk duhet të lejojmë që i gjithë ky proces të jetë proces i pakoordinuar. Nevoja për të pasur uniformitet në lëvizje si një skuadër që e di cilat janë objektivat, mund të bëhet e plotë vetëm përmes bashkëveprimit”, tha ndër të tjera Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al