95 mijë anëtarët e Partisë Socialiste u thirrën të premten dhe këtë të shtunë për të zgjedhur sipas parimit “një anëtar, një votë”,  delegatët e Kongresit, forumi më i lartë drejtues i kësaj force.

Në të gjithë vendin ishin hapur 369 vendvotime, ku anëtarët e 5200 degëve të PS-së votuan për të përzgjedhur 950 delegatët, gjysma e të cilave detyrimi është të jenë gra dhe vajza.

Paraditen e së shtunës votuan kryesocialisti Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Rama pas votimit në organizatën socialiste të Surrelit zgjodhi të mos bëjë asnjë koment për zgjedhjet e partisë së tij, e cila prej janarit është futur në një proces rienergjizimi.

Ndërkohë Veliaj, i cili votoi në zonën e Kopshtit Botanik, bëri thirrje që socialistët të mos e neglizhojnë detyrimin për të votuar, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, i jepet më shumë legjitimitet procesit.

“Nëse nuk keni votuar dilni dhe votoni. Është e rëndësishme të kemi sa më shumë legjitimitet, sa më shumë pjesëmarrje. Kush nuk ka votuar dje, duhet të paraqitet patjetër sot.”

Paralelisht me anëtarësimet e reja, zgjedhjen e delegatëve të Kongresit, po zgjidhen dhe kryetarët e rinj të degëve të PS. Sipas detyrimit statutor, çdo organizatë socialiste bashkëdrejtohet nga një grua ose vajzë dhe një burrë ose djalë.

Tv Klan