Socialdemokratët përgatiten të dalin të vetëm në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Komiteti drejtues kombëtar vendosi të fillojë menjëherë fushatën. Në një deklarim për shtyp kryetari Gjinushi, ndonëse herë pas herë përmendi rëndësinë e fitores së opozitës në këto zgjedhje, nuk harroi të shtojë dhe faktin se PSD do të përballet në çdo qark me kandidatët e vetë.

Skënder Gjinushi: “PSD do të konkurrojë në çdo qark sipas ligjit të ri, me listën e saj duke synuar një rezultat dinjitoz. Taktikat zgjedhore do të varen nga kodi zgjedhor.”

Më tej Gjinushi adresoi  akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit, fajtor sipas tij të një krize tjetër që po kalon vendi që ka lidhje me mosrespektimin e institucionit të presidentit dhe prokurorit të përgjithshëm.

Skënder Gjinushi: “Kriza zgjidhet vetëm me largimin e kësaj shumice dhe të qeverisë së saj.”

Deklarimi i Gjinushit tingëllon si kërcënim për PS për dalje vetëm në zgjedhje. Pak ditë më parë për Tv Klan, kreu socialdemokrat shtroi nevojën për koalicione parazgjedhore si e vetmja zgjedhje që garanton fitoren opozitare për shkak edhe të sistemit të ri. Por kupola rozë nuk i është përgjigjur ende thirrjes së aleatit të saj besnik, duke lënë në fuqi opsionin për koalicione pas zgjedhore./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi