Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shqipëria shkon edhe një hap më tej, për të treguar mbështetjen ndaj luftës së mundshme të udhëhequr nga SHBA. Në një mbledhje të së dielës, kryeministri Nano dhe ministrat e kabinetit, miratuan aktin normativ, për pjesëmarrjen e një force ushtarake shqiptare në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit.

Sipas dokumentit të kaluar nga ekzekutivi, Shqipëria vë në dispozicion të këtij koalicioni, hapësirën tokësore, detare dhe ajrore, si dhe krijon lehtësira stërvitore. Qeveria e ka shpjeguar pjesëmarrjen me një kompani komando të forcave të armatosura në Gjirin Persik, e cila do të ketë rreth 75 trupa, se kjo bëhet në kuadër të operacioneve në mbështetje të paqes dhe është në përputhje me angazhimet e deritanishme të shtetit shqiptar, në luftën kundër terrorizmit global.

Duke komentuar miratimin e aktit, për dërgimin e komandove, kryeministri Nano tha, se të ashtuquajturat analiza spekulative, sipas të vilave ky qëndrim mund të konsiderohet si një qëndrim anti-europian, ne u jemi përgjigjur qartë dhe pa lënë shteg abuzimi, se ne i konsiderojmë SHBA dhe Bashkimin Europian, jo si palë kundërshtare, por si palë mike dhe të pandara me kontribute të përbashkëta në progresin e demokracisë dhe sigurisë në botë, thotë Nano.

Projekti u hartua me urgjencë nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe u miratua me të njëjtën shpejtësi nga qeveria. Sipas burimeve ushtarake, dokumenti që më pas do të kërkojë edhe mbështetjen e Parlamentit, përfshin edhe detaje rreth vajtjes së trupave shqiptare, në rajonin e Gjirit Persik.

Ata do të transportohen përmes kryqëzorëve amerikan që veprojnë aktualisht në segmentin Adriatik-Mesdhe, Kanali i Suezit-Gjiri Persik dhe ka më shumë gjasë që të qëndrojnë në anijet amerikane.

Vendimi i qeverisë për nisjen e trupave shqiptare në Gjirin Persik vjen pas miratimit të rezolutës mbështetëse për luftën nga ana e Kuvendit të Shqipërisë më datë 3 Mars dhe krijimin e lehtësirave për SHBA. Pas Bosnjes dhe Afganistanit, ky pritet të jetë misioni i 3 jashtë Shqipërisë i forcave tona ushtarake./tvklan.al

Gazetar – Ardi Pulaj