Jared Kushner, dhëndri i ish-Presidentit amerikan Donald Trump, ua prezantoi vetë autoriteteve shqiptare planin e tij për të ndërtuar një resort luksoz në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.

Kryeministri Rama e zbuloi këtë në një prononcim për gazetën Financial Times, e cila u ka kushtuar një vëmendje të veçantë projekteve të kompanisë “Affinity Partners” të Kushner, që mbështetet nga një fond saudit, në Shqipëri e Serbi.

“Ne kemi nevojë për super luks ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë. Kushner dhe Grenell bënë uverturën në Shqipëri përpara se të ktheheshin për të investuar në Serbi. I vetmi ndryshim është se në Shqipëri ishte Kushner, jo Grenell, ai që bëri qasjen fillestare. Në Serbi sigurisht që Grenell ishte prezantuesi, por këtu jo.”

“Financial Times” shkruan se në Uashington planet kanë ngritur pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi nëse Trump zgjidhet president, por Grenell dhe Kushner e kanë hedhur poshtë këtë, duke thënë se ata po veprojnë në mënyrë private.

Kushner po ashtu ka bërë të ditur se ai nuk do të ketë asnjë rol në administratën e re në rast të fitores së Trump, ndërsa Grenell, shkruan Financial Times, është konsideruar si Sekretar i mundshëm i Shtetit nëse ish-presidenti fiton një mandat të dytë.

Duke u fokusuar te investimi në Serbi, Financial Times e sheh atë me shumë si një lojë gjeopolitike, teksa Perëndimi po shpenzon energji e investime të mëdha për ta shkëputur Serbinë nga Rusia.

Përsa i përket Shqipërisë, projekti i Kushner, synon ta çojë turizmin në një tjetër nivel. Ivanka Trump, bashkëshortja e Kushner, sqaroi pak ditë më parë se në projektin e rrjetit “Aman” po të punojnë arkitektët më të mirë dhe se resorti do të sjellë markat më të mira botërore në Shqipëri.

Tv Klan