Pas konferencës kombëtare të arsimit që do të pasojë me programin e ri për këtë sektor Partia Socialiste ka nisur etapën e fundit të “Dialogut me Shqipërinë” për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Kryetari Edi Rama ka udhëtuar drejt komunës Kukur të Gramshit, ku ka bashkëbiseduar me banorët e saj për vështirësitë e jetesës me punën në bujqësi.

Edi Rama: “Dhe do t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, këtu ku jeta është e vështirë po njësoj për socialistët dhe për demokratët, këtu ku qoftë socialistët, qoftë demokratët e thjeshtë, njerëzit e ndershëm të Kukurit i vuajnë njësoj mungesën e punës, mungesën e mbështetjes së shtetit për prodhimet bujqësore, mungesën e infrastrukturës.”

Rama gjatë fjalës së tij në këtë bashkëbisedim ka dhënë theksin tek nevoja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve për t’i dhënë fund këtij tranzicioni të gjatë.

Edi Rama: “Për t’u ndarë nga kjo politikë e vjetër e së shkuarës që shëmbëlltyrën e vet më të shëmtuar dhe më besnike ka kryeministrin Sali Berisha së bashku me këta ministra që në vend që të merren me hallet dhe problemet e njerëzve merren me hallet dhe problemet kryeministrit, i cili e ka kthyer qeverinë në një zyrë avokatie për konfliktet e tij me institucionet dhe me shtetin si pasojë e një korrupsioni të paimagjinueshëm ku është zhytur kokë e këmbë bashkë me qeverinë e tij.”

Kryesocialisti është shprehur i bindur se realiteti në fshatra dhe në qytetet e vendit mund të ndryshojë duke i dhënë jetë një fuqie të re./tvklan.al