Kryetari socialist Edi Rama ka vijuar turin e takimeve të tij me rrjetin e vullnetarëve në qytetin e Shkodrës. Gjatë fjalës së tij kreu i selisë rozë kritikoi ashpër kryeministrin Berisha, duke e krahasuar qeverisjen e tij me atë të par 18 viteve, kur vendi ishte ende nën diktaturën komuniste.

Edi Rama: “Ka 18 vjet që politikanët e vjetër na tregojnë varfërinë si shënjestrën e luftës së tyre dhe prej 18 vjetësh shqiptarët shtohen duke u vënë në shënjestër nga varfëria.”

Ndër të tjera Rama i vuri theksin në korrupsionin që sipas tij ka mbërthyer qeverisjen e djathtë dhe politikanë të lartë të mazhorancës.

Edi Rama: “Asnjëherë më parë së sa në 28 qershor shqiptarët dhe shqiptaret nuk e kanë pasur me të pastër përpara tyre rastin për t’u ndarë nga e vjetra e pangrënshme, e patretshme dhe e pazgjidhshme, që Sali Berisha ofron për 18 vit me radhë.”

I bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama kërkoi nga të rinjtë vullnetar të bëhen pjesë e ndryshimit të madh që sipas tij do ta ndajë vendin njëherë e mirë nga politika e vjetër./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro