Pjesëmarrja në Europian me Shqipërinë është realizimi i një ëndrre për Ylber Ramadanin. Mesfushori i Kombëtares foli rreth Euro 2024 dhe ndeshjes me Italinë në një intervistë për DAZN.

“Kur Shqipëria mori pjesë në Euro 2016 unë luaja në Kosovë dhe tani është realizimi i një ëndrre. Italia është e fortë, pasi ka lojtarë të cilët aktivizohen në ekipe me emër si Juvenstus, Inter apo Milan, por ne do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin”.

Ramadani vlerësoi shumë punën e Sylvinho te Kuqezinjtë.

“Sylvinho është një trajner i zoti. Ai ka ndërtuar një grup të mirë lojtarësh. Ai është inteligjent ka bërë një punë të mirë, por është edhe një njeri i mirë. Qëkur ka ardhur ai unë po luaj më shumë”.

28-vjeçari i cili aktivizohet me Leçe në Serie A tregoi edhe për problemet shëndetësore që pati muajin e kaluar që sollën shqetësime në frymëmarrje.

“Nuk isha mirë, madje rrezikova të vdisja, por falë presidentit, klubit, të gjithë tani jam mirë”.

Ylber Ramadani te Leçe është një lojtar i rëndësishëm, duke dhënë një kontribut të vyer për qëndrimin në Serie A.

Tv Klan