Shkodra ka shijuar një koncert fantastik nga yjet e skenës me famë botërore, tenori operistik Rame Lahaj, këngëtari i mirënjohur Alessandro Safina dhe dirigjente Elda Laro.

I mbajtur në zonën turistike të Shirokës, koncerti i konsideruar i niveleve mbarëkombëtare solli një gërshëtim këngësh dhe melodish të cilat u duartrokitën pa reshtur nga publiku artdashës i Shkodrës.

Për Alessandro Safinen kjo është hera e parë që është në Shkodër dhe është I befasuar nga vendi, publiku dhe mikpritja. Ai tha se do rikthehet jo vetëm për koncerte por shumë shpejt do bëjë dhe pushimet ketu.

“Fatkeqësisht është hera e parë që vij këtu, ishte e mrekullueshme, vendi është shumë i bukur, publiku ishte i mrekullueshëm, jam shumë i lumtur. Edhe këto ditë isha në Shkodër dhe u ndjeva shumë mirë, është akoma më mikpritëse se sa e mendoja. Do rikthehem, edhe për pushime sepse u dakordësova por shpresoj edhe për një koncert tjetër. Me Ramen është hera e dytë që bashkëpunoj, është artist i madh, njeri i bukur, zakonisht s’më pëlqen të punoj me tenor por me atë kemi një raport shumë të mirë”.

Dirigjentja Elda Laro u shpreh entuziaste për rikthimin në Shkodër pas thuajse 40 vitesh, duke e konsideruar këtë një natë magjike me emocione të forta.

Koncerti i organizuar nga Bashkia Shkodër mblodhi më shumë se 1000 të ftuar, teksa interesi për këtë event ishte i jashtëzakonshëm.

Tv Klan