Asgjë nuk do të ndryshojë në raportet mes Kosovës dhe Serbisë edhe pse në Beograd pritet të instalohet një qeveri pro perëndimore, kur bëhet fjalë për Kosovën të gjithë liderët serbë mbajnë të njëjtin qëndrim. Megjithatë presidenti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës u shprehën të kënaqur me fitoren e forcave demokratike në Serbi.

Fatmir Sejdiu: “Për ne është shumë me rëndësi që i gjithë rajoni të marrë një kahje të mirë në zhvillimin e proceseve demokratike dhe të ecjes drejt proceseve të integrimeve. Po ashtu është me rëndësi që ne mbesim gjithmonë në ofertën që kemi dhënë edhe gjatë procesit të bisedimeve, se Kosova është jetësisht e interesuar të ketë raporte të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e vet me këtë rast dhe me Serbinë”.

Ngjashëm është shprehur dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi. Sipas tij është mirë që Serbia po rreshtohet nga perëndimi.

Jakup Krasniqi: “Unë nuk do dëshiroj të paragjykoj, ne shpresojmë që vërtetë politika e Beogradit do të ndryshojë noj raport me Kosovën, por varet nga Beogradi. Ne jemi të interesuar që të jetojmë në fqinjësi të mirë të gjitha vendet përreth përfshirë dhe Serbinë”.

Zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të 11 majit janë zhvilluar dhe në territorin e Kosovës. Presidenti Sejdiu, ashtu sikurse edhe kryeparlamentari Krasniqi thanë, se organet lokale që pritet të dalin nga këto zgjedhje janë të pa ligjshme./tvklan.al