Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i ftuar në Komisionin e Sigurisë për të raportuar për projekt buxhetin e dikasterit që drejton, por kjo nuk i ka penguar deputetët e opozitës t’i adresonin pyetje, por dhe akuza për lidhje me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar.

Tahiri u largua nga Komisioni pasi tha se kishte impenjime të tjera në axhendën e tij, por kjo shkaktoi acarimin e Nënkryetarit demokrat Noka, që nuk i kurseu fyerjet për Kryetarin e Komisionit, Spartak Braho.

Për këtë arsye Braho i është drejtuar Byrosë së Kuvendit me një kërkesë për të përjashtuar Deputetin Noka për 10 ditë nga punimet e parlamentit dhe Komisionit Parlamentar.

Por debati i nisur në Komisionin e Sigurisë është eksportuar edhe në Komisionin Hetimor për pajisjen “IMSI Catcher”, i cili drejtohet nga Noka.

Deputetët e maxhorancës i kanë kërkuar llogari për sjelljen ndaj Kryetarit Braho, si dhe shtyrjen e mbledhjes ku ishte i ftuar për të raportuar për pajisjen e përgjimit, Ministri Tahiri dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

Ministri Tahiri nuk iu përgjigj ftesës të Komisionit, ndërsa Drejtori Çako nuk iu përgjigj pyetjeve të deputetëve opozitarë, pasi tha se çështja është nën hetim dhe sipas tij do të ishte në shkelje të ligjit po ta raportonte.

Tv Klan