Në ditën e parë të samitit të NATO-s në Baden Baden të Gjermanisë, gjatë pritjes së dhënë nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti shqiptar, Bamir Topi, është takuar me presidentin amerikan, Barack Obama.

Topi i ka shprehur atij falënderimet për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë për vendin tonë, ndërsa presidenti Obama ka uruar kryetarin e shtetit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke u kthyer kështu në një aleate dhe partnere strategjike të aleancës.

Në  darkën zyrtare të liderëve botërore presidenti shqiptar, Topi, ka mbajtur edhe fjalimin e tij përshëndetës.

Sipas faqes zyrtare të kryetarit të shtetit, Topi ka deklaruar se është shumë krenar dhe i lumtur që përfaqëson Shqipërinë në ngjarjen më të madhe në rrugëtimin e rëndësishëm drejt demokracisë dhe lirisë.

Në temën e diskutimeve në këtë darkë pune ishin Afganistani dhe marrëdhëniet Rusi-NATO.

Diskutimet për Afganistanin do të vazhdojnë edhe të shtunën kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Scheffer do t’u kërkojë aleatëve të dërgojnë atje mbi 4 mijë trupa për të garantuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të Gushtit.  

Në fjalën e saj kancelarja Angela Merkel tha se me marshimin e nesërm drejt kufirit mes Francës dhe Gjermanisë bota do të kujtojë se është pjesë e një brezi të lumtur që jeton në paqe dhe në liri. 

Në mëngjesin e së shtunës kryeministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane drejt Strasburgut të shoqëruar nga kancelarja Angela Merkel, e cila në shenjë paqeje do të shtrëngojë duart me presidentin francez, Nikolas Sarkozi, duke shënuar kështu simbolikisht vlerën e paktit të paqes mes dy vendeve.

Në fund të darkës zyrtare liderët botërorë kanë marrë pjesë në një koncert në nder të 60-vjetorit të Aleancës. 

Më pas Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të vendeve anëtare janë takuar së bashku në një diskutim mbi strategjitë dhe sfidat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Shqipëria u përfaqësua nga ministrat Lulzim Basha dhe Gazmend Oketa. Mbrëmja ka përfunduar me një fotografi familjare të zonjave të para.

Dita e dytë e samitit të NATO-s do t’i kushtohet Shqipërisë dhe Kroacisë që marrin vendin e tyre si anëtarë të Aleancës, ndërsa ngritja e flamujve të dy vendeve do të bëhet gjatë një ceremonie të veçantë më datën 7 Prill./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle