Sekretarja amerikane e shtetit Condolezza Rice ka pritur në Uashington presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Në takimin mes tyre është biseduar mbi të ardhmen e shtetit të ri dhe mbi procesin e njohjes së pavarësisë, çështje kjo që u theksua edhe në konferencën e përbashkët për shtyp.

Zonkja Rice deklaroi se njohja ndërkombëtare e Kosovës do të vazhdojë, duke kërkuar që këtë ta bëjë dhe vetë Serbia apo përkrahësit e saj. Ajo theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces ndërsa takimin me liderët kosovar e quajti si historik.

Condolezza Rice: “Është një moment historik, jam shumë e lumtur që jam këtu me Presidentin e  kryeministrin e Kosovës. Populli i Kosovës ka një rrugë të gjatë për të ndërtuar një demokraci multietnke, vetë Kosova ka vendosur udhëheqje të vendosur për të arritur këtë. Kosova do të ketë një mik të fortë që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Ndërsa përgëzoi krerët e shtetit të ri, për progresin që ka bërë Kosova pas shpalljes së pavarësisë veçanërisht në zbatimin e planit të Ahtisarit, zonja Rice e këshilloi lidershipin kosovar që të punojë për ndërtimin e demokracisë, mbrojtjen e minoriteteve, të drejtave fetare dhe zhvillimin e ekonomisë. Ndërsa presidenti Sejdiu deklaroi se objektivi kryesor i shtetit të ri është shndërrimi i tij në një faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon.

Fatmir Sejdiu: “Ishte edhe ky rast i jashtëzakonshëm me zonjën sekretare, që të shprehim këto falënderimet tona, të shprehim zotimin tonë se do të vazhdojmë në këtë qasje të mirë të bashkëpunimit të thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe duke pasur parasysh po ashtu para vetes se kemi objektiv që të ndërtojmë një Kosovë, e cila do të jetë Kosova e vlerave, më sublime, demokratike dhe atdhe i të gjithëve. Në këtë rast them se për ne do të jetë po ashtu kthesë e veçantë edhe kjo pjesë e zhvillimeve, sidomos në aspektin ekonomik, të ringjalljes ekonomike të Kosovës dhe bërjes së Kosovës faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit.”

Të hënën dy krerët e lartë kosovar do takohen në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Bush në takimin e parë që pas shpalljes së pavarësisë./tvklan.al

Gazetare: Justina Ukaliaj