Që në orën 6 të mëngjesit aksi rrugor Elbasan-Librazhd është paralizuar për shkak të shembjes së urës në Mirakë, rreth 11 km larg Librazhdit. Shirat e rrëmbyera të rëna gjatë natës kanë shembur urën e sapondërtuar nga firma turke “MAPA”. Vargu i makinave në të dy kahet e rrugës ka shkuar deri në 6 km. Policia e Qarkullimit ndodhet në vendngjarje për të menaxhuar situatën së bashku me Drejtorinë e Emergjencave. Njerëzit me probleme më emergjente kalojnë në këmbë ndërsa shumica e tyre janë kthyer mbrapsht. Firma turke po punon për krijimin e një ure të përkohshme.

Është rasti i dytë pas Labinotit kur ura e ndërtuar nga kjo firmë është shembur duke paralizuar aksin kryesor Elbasan-Librazhd. Gjatë gjithë aksit që po ndërtohet nga kjo firmë janë me dhjetra ura që do të pësojnë fatin e kësaj që u rrëzua mëngjesin e sotëm, pasi specialistët thonë se ato janë ndërtuar me cilësi të dobët.

Disa herë firma është gjobitur nga Policia e Qarkullimit Rrugor për moszbatimin e kritereve, si vendosja e tabelave sinjalistike në rrugë. Edhe Ministria e Mjedisit e ka gjobitur këtë firmë për ndotje të mjedisit. /tvklan.al