Spitalet e të gjitha rretheve po kalojnë në sitën e auditit të ministrisë së Shëndetësisë. Edhe pse nuk janë kontrolluar ende të gjitha institucionet shëndetësore në vend, drejtori i auditit Igli Stambolla deklaron për televizionin Klan, se shkeljet janë nga më të ndryshmet.

Stambolla sqaron se në përfundim të të gjitha kontrolleve do të hartohen faturat financiare dhe përgjegjësit do të dërgohen përpara prokurorisë.

Igli Stambolla: “Problematikat kanë qenë nga më të ndryshmet duke filluar që nga prokurimet. Në blerjen e medikamenteve dhe në mirëmbajtjen e aparaturave mjekësore, mirëmbajtjen e godinave. Ka pasur shkelje të disiplinës financiare me shpenzimet e karburantit, riparimet e automjeteve, me dietat. Auditimi nga spitalet  e rretheve do të shtrihet në formë piramide edhe brenda ministrisë. Dhe do të përcaktohen me emra konkretë personat përgjegjës të cilët sollën shkaktimin e kësaj gjendje që ne kemi konstatuar. Dhe drejtoria e auditimit të ministrisë së Shëndetësisë nuk do të hezitojë që në të gjithë rastet ku do të konstatohen shpërdorime të fondeve publike të buxhetit të shtetit do dërgohen pranë organeve të prokurorisë.”

Ashtu si edhe në qendrën spitalore universitare Nënë Tereza. Auditi në rrethe ka konstatuar se emërimet dhe numri i punonjësve në spitale i tejkalon të gjitha parashikimet e strukturave. Madje ka spitale ku për një pacient figurojnë 11 punonjës./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami