Spitalet në të gjithë vendin do të përfshihen në një proces reformimi të financimit të tyre që shkon drejt autonomisë financiare.

Në një konferencë kombëtare me pjesëmarrjen e personaliteteve të kësaj fushe, u theksua se është urgjente zbatimi i një modeli të tillë. Në këtë rast si shembull është marrë spitali i Durrësit prej 8 vitesh. I përfshirë në skemën e financimit nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore.

Një model që për ministren Anila Godo ka rezultuar të jetë i suksesshëm.

Anila Godo: “Një pikë e dobët e shëndetësisë dhe që në të cilën gjithë bota ecën në drejtim të fuqizimit të kësaj pike, është administrimi, menaxhimi i spitaleve. Dhe deri tani jemi të mendimit që kjo skemë, pra skema e financimit nëpërmjet ISSH është një skenë që siguron një menaxhim. Bëhen hapat e para drejt autonomisë së spitaleve. Mendojmë që është një skemë efeciente, mendojmë të hyjmë në tërë Shqipërinë.”

Konferenca pritet të dalë me një platformë mbi mënyrën e financimit   të spitaleve. Si avantazhe të shtrirjes së skemës së sigurimeve në spitalet e vendit konsiderohet rritja e efektivitetit të përdorimit të fondeve. Krijimi dhe përdorimi i të ardhurave dytësore, rritja e pagave të personelit si dhe kryerja e trajtimeve mjekësore në nivel cilësor./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi