Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shqipëria ka filluar zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian. Në raundin e parë të bisedimeve është diskutuar parathënia për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si dhe disa nene të saj, që përmbajnë kushtet kryesore që Shqipëria duhet të plotësojë për nënshkrimin e MSA. Në raundin e parë të bisedimeve, kryenegociatori i palës shqiptare Sokol Nako ka deklaruar, se është gjetur gjuha e përbashkët për shumicën e çështjeve të diskutuara.

Sokol Nako:- “Sot u diskutuan të gjitha çështjet që ishin planifikuar për t’u diskutuar, preambula deri tek neni 15 i marrëveshjes, që përfshijnë parimet e përgjithshme, dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal. Unë mendoj, që ne gjetëm gjuhën e përbashkët për një pjesë të madhe të sugjerimeve që ne propozuam, ndërkohë që disa prej çështjeve janë lënë të hapura edhe për të reflektuar, qëndrimet që priten nga samiti i Selanikut, në fund të 6 mujorit të parë të këtij viti”.

Gazetarja:- Për cilat çështje bëhet fjalë?

Sokol Nako:- “Bëhet fjalë për deklarata të përgjithshme të dialogut politik dhe parime në të cilat do të mbështet ky dialog”.

Gazetarja:- Po preambula çfarë përmban?

Sokol Nako:- “Përmban gjithashtu, deklarimet më të përgjithshme për angazhimin tonë, për respektimin e principeve demokratike, të të drejtave të njeriut, të forcimit të bashkëpunimit rajonal, krijimin e një zone të tregtisë së lirë etj. Pra gjithçka atë që përmban një parathënie e një marrëveshje të tillë, të zgjeruar siç është kjo e Stabilizim Asocimit”.

Ndërsa përfaqësuesit e BE, kanë kërkuar nga qeveria vullnet politik, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dy çështjet më problematike për Shqipërinë.

Përfaqësuesi i BE:- “Ne do të shohim zbatimin dhe aftësinë e qeverisë dhe administratës në procesin e reformave në vazhdim dhe sigurisht do të na duhej një farë kohe për të përparuar në negociata. Shumë gjëra mbeten për t’u bërë, sidomos duhet të merret seriozisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë sigurisht dy nga problemet më të mëdha të vendit tuaj. Prandaj thelbësore është ekzistenca e vullnetit politik dhe vendosmëria për të punuar mbi këto çështje”.

Ashtu siç priten, negociatat Shqipëri-BE, do të zhvillohen çdo 6 javë./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço