Tre shtete europiane njohën sot zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke shënuar një moment historik nga njëra anë për palestinezët dhe një pikë kulminante në tensionin mes Europës dhe Izraelit.

Spanja, Norvegjia dhe Irlanda vendosën ta njohin Palestinën si shtet sovran e të pavarur dhe të krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike.

Përfaqësues të tre vendeve thanë se një zgjidhje mes dy shteteve është mënyra e vetme që Izraeli e Palestina të jetojnë krah për krah në paqe e siguri dhe i bënë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu të ndalojë kastastrofën humanitare në Gaza.

Palestinezët në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor mirëpritën njohjen e një shteti palestinez nga tre vende evropiane duke shpalosur flamujt e tyre në qendër të qytetit.

Vendimin e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë nuk e ndoqi Danimarka, parlamenti i së cilës hodhi poshtë një propozim për të njohur një shtet palestinez, duke mbështetur pikëpamjen e qeverisë se nuk ishin kushtet e nevojshme për ta ndërmarrë këtë hap.

Vendimi i tre shteteve europiane vjen në një kohë kur tanket izraelite janë në qendër të Rafahut dhe kur një sulm mbi një tjetër kamp refugjatësh të martën la të vrarë 21 persona dhe 64 të plagosur.

Tv Klan