Kurba e infeksionit, në rënie në nivel global

Pas shtatë javësh në izolim, më në fund spanjollët janë lejuar të dalin  nga shtëpitë sipas një vendimi të autoriteteve për lehtësimin e masave të ashpra kundër koronavirusit.  

Rrugët e Madridit, parqet dhe plazhet e Barcelonës u mbushën me njerëz që vraponin, me çiklistë e të tjerë që shijonin diellin dhe ajrin e pastër.

Megjithatë, për të shmangur mbipopullimin qeveria spanjolle ka vendosur një rregullore për oraret dhe grupmoshat.  

Nga e shtuna, njerëzit do të lejohen të bëjnë shëtitje të shkurtra apo të ushtrojnë sporte të ndryshme nga ora 6 deri në 10 të mëngjesit dhe nga ora 8 deri në 11 në darkë.

Hapësira nga mesdita deri në shtatë pasdite do të jetë e rezervuar për fëmijët, të moshuarit dhe shtresat vulnerabël.

Spanja është një nga vendet më të goditura nga pandemia e koronavirusit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i vdekjeve arriti në 25.100 të shtunën, pasi 276 ndërruan jetë brenda natës.

Numri i të prekurve në total ka shkuar në  216 582 .Edhe pse situata duket drejt përmirësimit në vendet europiane, në Shtetet e Bashkuara vijon të rritet numri i të prekurve dhe viktimave.

64.789 persona kanë humbur jetën teksa të infektuarit janë 1.1 milionë. Në Britaninë e Madhe viktimat janë 27.510.

Në Itali numri i viktimave vijon të jetë në rënie dhe 269 pacientë humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit. Infeksionet po bien dhe të shëruarit janë më të shumtë.

Kurba e infeksionit dhe vdekjeve është në rënie në nivel global.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 72.850 të infektuar duke e çuar në mbi 3 milionë e 181 mijë.

Tv Klan