UFO University diplomon 120 studentët e parë, 90 mjekë stomatologë dhe 30 politologë të rinj që pritet të nisin tashmë rrugën e gjatë në karrierën e tyre. Një ceremoni madhështore ka mbushur plot emocion pallatin e Kongreseve. Studentë që presin të marrin në duar diplomën, pedagogë që kanë punuar me përkushtim për 4 vite, prindër dhe të afërm. Politikanë që shohin të ardhmen tek këta të rinj tashmë të formuar profesionalisht.

Presidenti i këtij universiteti privat, ndër më prestigjiozët në vendin tonë, rrëfen plot emocion diplomimin e brezit të parë.

Astrit Veliaj: “Mendoj që është një nga evenimentet shumë të rëndësishme të jetës time. Shoh që jam bërë pjesë e formimit të këtyre studentëve dhe këtij stafi pedagogjik dhe ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer midis biznesit dhe akademisë, që u arrit ky rezultat. Sot ne kemi 3100 studentë, 400 pedagogë dhe një staf administrativ shumë të madh, i cili përkujdeset për gjithë universitetin.”

Po ashtu edhe rektori i këtij universiteti dhe dekanët shprehen se puna e tyre tregon se sot këta diplomantë janë kolegët e tyre që do ti bëjnë ballë më së miri tregut të punës.

Pavli Kongo: “Është një periudhë pune 4-vjeçare intensive nga të dy palët dhe nga studentët dhe nga pedagogët për përvetësimin e dijeve bashkëkohore. Pozitiv është fakti që ne në kurrikulat tona kemi përfshirë lëndë të cilat i shërbejnë kuadrove të ardhshëm në fushën e stomatologjisë në fushën e shkencave politike. Kështu që shpresoj dhe besoj, se ky program që neve kemi përzgjedhur do të justifikojë plotësisht kërkesat e tregut.”

Fatmir Tartari: “Këta do të jenë specialistët e parë që do dalin në fushën e marrëdhënieve me jashtë dhe administrative.  Do të jenë politologët e parë që do të furnizojnë administratën dhe analistët shqiptarë me një frymë të re dhe informim bashkëkohor, të cilët do t’i japin frymën e tyre që kanë marrë në këtë universitet me standardet e kohës dhe me nivelin profesional që kërkon sot zhvillimi ekonomik i vendit dhe futja në BE për të përballuar sfidat e kohës me aftësitë të larta profesionale.”

Gazetarja: “Si ndiheni që diplomuat brezin e parë?”

Fatmir Tartari: “Për mua është kënaqësi e veçantë, që për herë të parë ky universitet nxjerr kuadrot e para politolog, të cilët natyrisht do të jenë fytyra, aftësi profesionale dhe kualifikimi i dhënë nga ky universitet, për të dhënë një ndihmesë në zhvillimin dinamik të vendit tonë dhe për ti shërbyer atdheut sa më mirë.”

Çerçiz Mingomataj: “Mund të them këtë që shpresoj, kam edhe bindjen që ata do të dinë t’i bëjnë jetës dhe tregut e kushteve që imponon sot jeta, sepse përgatitja e tyre teorike është pas asnjë mëdyshje më e mira në trevën shqiptare, për hir të literaturës që marrim të viteve 2006 komplet amerikane. Për kushtet e punës nuk i ka asnjë fakultet tjetër po brenda kësaj treve.”

Të rinjtë që nesër do të jenë mjekë stomatologë kanë bërë përpara të gjithëve betimin e Hipokratit, për përkushtim ndaj pacientit dhe punë të palodhur pas asnjë dallim.

Student: “Tek gjendem përpara jush më kujtohet një shprehje e vjetër e cila thotë më thuaj dhe unë do të harroj, më trego dhe unë do të mbaj mend, më përfshi dhe unë do të kuptoj. Pikërisht ajo që unë kam ndjerë pranë UFO University ka qenë përfshira në të gjithë dijet e tij në të cilën profesorët kanë qenë mentorët, filozofët dhe miqtë tanë.”…/tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami