Zëvendësministri i Brendshëm Genc Strazimiri premton se këtë verë nuk do të ketë radhë e pritje të gjata nëpër dogana për emigrantët që kthehen pas pushimeve në vendin e tyre të punës. Këtë deklaratë Strazimiri e bëri në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës gjatë inspektimit së bashku me drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit Ahment Prençi.

Sipas Strazimiri qëllimi i këtij inspektimi ka qenë verifikimi në vend i zbatimit të masave për të përballuar fluksin e lëvizjes së emigrantëve, që kthehen në shtëpi për të kaluar pushimet, por edhe turistëve që kanë zgjedhur këtë verë të vizitojnë vendin tonë. Sipas tij janë marrë të gjitha masat që në kufi të punohet me kapacitet të plot të sporteleve që përpunojnë dokumentacionin e udhëtarëve.

Po ashtu janë siguruar dhe akset nacionale rrugore për të evituar aksidentet dhe angazhimin e forcave të policisë për të parandaluar ngjarjet kriminale. Si risi Strazimiri ka vlerësuar krijimin e ambienteve të reja me pajisje për kontrollin e lëndëve narkotike ose mallrave të tjerë të ndaluar./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi