Debati që ka përshirë prej ditësh dikasterin e ministrisë së Brendshme dhe një pjesë të komunitetit mysliman, më në fund duket se ka zgjedhur një zgjidhje.

Një përfaqësi e këtij komuniteti dhe kryetari i saj Selim Muça zhvilluan një takim me zëvendës ministrin e punëve të brendshme Ferdinand Pone, të cilit i kanë propozuar variantin që sipas tyre është zgjidhja për ngërçin e pozimit të grave besimtare të mbuluara me shami në qendrat e gjendjeve civile.

Klan mund të sigurojë variantin e paraqitur më të cilin duket qartë modeli i saktë i pozimit të një gruaje të mbuluar me shami. Modeli i propozuar garanton një paraqitje të plotë të gjitha shqisave të fytyrës.

I vetmi detaj i pazbuluar për besimtarët do të jetë floku. Por miratimi i këtij modeli nuk është konfirmuar zyrtarisht nga ministria e Brendshme e cila njofton vetëm faktin se takimi më një përfaqësi të këtij komuniteti mysliman u përqendrua në diskutimin lidhur me respektimin e të drejtës së besimit dhe lirive të shtetasve gjatë procesit të aplikimit, për pajisjen me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike.

Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Pone mësohet të ketë siguruar përfaqësuesit e komunitetit mysliman, se asnjë herë dhe në asnjë rast procesi nuk ka cenuar dhe nuk do të cenojë besimin dhe integritetin e besimtarëve.

Në fakt aplikimi për pajisjen e shtetasve shqiptarë me këto karta të reja dhe pasaportat biometrike, ashtu edhe siç është parashikuar në kontratën e firmës prodhuese, përcakton kritere të rrepta lidhur me pozimin e aplikantit, duke ruajtur të gjitha parametrat e elementëve të sigurisë që duhet të ketë ky dokument./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani