Vera është sinonim i pushimeve, diellit, plazhit dhe aventurave të paharrueshme.

Çdo vit, turistët kërkojnë destinacione të reja dhe emocionuese për të eksploruar, dhe së fundmi Shqipëria është pozicionuar si një nga vendet më tërheqëse dhe më të përballueshme për t’u vizituar shkruan e përditshmja spanjolle “Super Deporte”.

Për turistët me buxhet të limituar, gjetja e një destinacioni ku mund të shijohet ushqimi dhe pijet e mira me çmime të ulëta është një ëndërr e realizuar.

Gastronomia shqiptare është një tjetër atraksion i rëndësishëm në vend. I ndikuar nga kuzhina mesdhetare, ushqimi në Shqipëri është i larmishëm dhe i shijshëm.

Në Shqipëri, një birrë vendase mund të kushtojë 1 Euro, një çmim praktikisht i paimagjinueshëm në destinacionet e tjera turistike evropiane. Për adhuruesit e natyrës, Shqipëria është një parajsë e vërtetë. Nga malet e Alpeve Shqiptare deri te liqeni piktoresk i Ohrit, vendi ofron një shumëllojshmëri peizazhesh mahnitëse dhe mundësi për aventura në natyrë. Media spanjolle rendit disa prej destinacioneve turistike që duhen vizituar.

I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati është një nga qytetet më të vjetra dhe piktoreske në Shqipëri. Kjo media veçon edhe Sarandën e cila është destinacioni kryesor i plazhit në Shqipëri. Ujërat e saj të pastra kristal dhe plazhet me rërë të bardhë janë ideale për t’u çlodhur dhe për të shijuar diellin.

Bregdeti i Shqipërisë, i lagur nga detet Adriatik dhe Jon, ka plazhe që konkurrojnë për nga bukuria me ato të Greqisë dhe Italisë, por pa turma vizitorësh dhe me çmime të përballushme. Një nga aspektet më të paharrueshme të vizitës në Shqipëri është mikpritja e njerëzve të saj.

Klan News