Kalimi me sukses i dy miqësoreve ka bërë optimist trajnerin Sylvinho, jo për rezultatin, por më së shumti për mentalitetin që lojtarët treguan në fushë.

“Sa i përket kësaj periudhe, unë jam i kënaqur. Jemi në fazë përgatitjesh. Kanë ardhur lojtarë me 50 ndeshje, të tjerë me 2 ndeshje. Por edhe lojtarë të dëmtuar. Të gjithë kanë bërë shumë mirë, rezultati nuk ka rëndësi. Kjo periudhë nga tani e tutje do i dedikohet strategjisë së ndeshjes me Italinë. Deri tani kishte rëndësi puna dhe menaxhimi i lojtarëve, gjithashtu forma e tyre”, tha trajneri.

Edhe futbollistët e kanë mendjen tek ndeshja e parë e finaleve të Europianit.

“Goditjet nga jashtë i kemi dhe i provojmë çdo herë. Edhe sot edhe ndeshjen e kaluar Asani dha një supergol dhe duhet të vazhdojmë kështu”, tha Nedim Bajrami.

“Prapë e kemi dhe një javë kohë të përgatitemi sa më mirë kundër Italisë dhe besoj që jemi të gjithë gati. Do mbrohemi të gjithë bashkë kundër Italisë dhe do të sulmojmë të gjithë bashkë”, tha Berat Gjimshiti.

“U duk içik lodhja sot në ndeshje, prandaj është mirë të mbaronim me një fitore. E dimë që do jetë e vështirë në grup, por kemi treguar që kemi shpres,ë kemi dëshirë dhe kemi shpirtin shqiptar gjithmonë që nuk dorëzohemi kurrë”, tha Thomas Strakosha.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka me anë të një reagimi në rrjetet sociale shprehet se në kampionatin europian të Gjermanisë, kuqezinjtë shkojnë me moralin lart.

Ai jep edhe një mesazh se tani është një histori tjetër në Europian dhe shkojnë ta shijojnë dhe të japin më të mirën, për të vazhduar të jenë krenaria e shqiptarëve anembanë botës.

Tv Klan