Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Demokristiane ka shprehur ambicien e saj për të qenë forcë e tretë politike në zgjedhjet vendore të 12 Tetorit. Kryetari Nikollë Lesi e konsideroi Pukën, si qytetin e fitores së demokristianëve.

Nikollë Lesi:- “Demokristianët shqiptarë, të tregojnë forcë, të tregojnë se filozofia demokristiane që mbizotëron në Europë po futet në mbarë Shqipërinë, ne të synojmë që në rrethin e Pukës të jemi forcë e dytë politike, si Parti Demokristiane, duke synuar dhe bashkinë e Pukës”.

Votat në Shkodër nuk duhet të shkojnë as për PD dhe as për PS, por për alternativën e demokratëve të reformuar. Kështu ka apeluar përpara shkodranëve kryetari i PDR Genc Pollo, gjatë prezantimit të kandidatit Nexhat Maliqi.

Genc Pollo:- “Mjaft me të vjetrën edhe në Shkodër, sepse nuk mund të jetë Shkodra një qytet që voton për të majtën për shkak të historisë së saj të vjetër, por nuk mund të jetë edhe një qytet që voton për pashallarët e saj të përjetshëm të opozitës, për shkak të historisë së saj të re”.

PBDNJ ka vijuar takimet elektorale në prezantimin e kandidatëve të Nartës dhe Selenicës. Kryetari Vangjel Dule u ka kërkuar banorëve të këtyre zonave, të ushtrojnë të drejtën e votës.

Vangjel Dule:- “Do të fillojë puna, do të hapet rruga zgjidhjeve për problemet e ndryshme dhe të shumëllojshme, që prekin çdo qytetar, që prekin çdo familje”.

Paskal Milo ka prezantuar alternativën e Demokracisë Sociale në Velipojë të Shkodrës. Milo u shpreh i bindur se partia e tij, ndonëse në moshë të re, do të shënojë rezultate në këto zgjedhje./tvklan.al