Unioni i Mesdheut është një projekt ambicioz i presidentit francez Nicolas Sarkozy. Ai synon rigjallërimin e partnershipit ekzistues Euro Mesdhetar të vitit 1995 i njohur si procesi i Barcelonës si dhe çeljen e rrugës për një dialog të barabartë midis BE-së dhe Shteteve të Mesdheut. Themelimi i këtij organizmi të rëndësishëm uli në një tryezë liderët e 27 vendeve të BE-së dhe 17 vendeve që shtrihen përgjatë detit Mesdhe në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e mesme.

Dita e parë e samitit erdhi me këmbë të mbarë pasi u arritën hapa domethënës në konfliktin mes Izraelit dhe Sirisë dhe autoritetit palestinez. Pas takimit me Nikola Sarkozy, kryeministri izraelit Ehud Olmert, tha se vendi i tij dhe palestinezët nuk kanë qenë kurrë kaq pranë një marrëveshje paqësore sa tani.

Për korrespondentët e BBC, iniciativa personale e Sarkozys është një lojë e zgjuar për rehabilitimin e homologut të tij sirian presidentit Bashar Alasad, gjë që sigurisht ka dhënë frytet e para. Bashkimi për Mesdheun është një organizëm i ri që do të fusë në një ombrellë të fuqishme vende që arrijnë një popullsi mbi 750 milion banorë. Synimet fillestare të organizatës janë jo vetëm modeste dhe praktike por edhe tepër ambicioze.

Liderët pritet të bien dakord për çështje si lufta ndaj ndotjes së Mesdheut, emigracioni, projekte trans-rajonale dhe ndër kufitare, si psh autostradat në Afrikën e Veriut si dhe intensifikimi i përdorimit të energjisë diellore. Organizata e re do të ketë bashkë president nga çdo anë e Mesdheut fillimisht nga Franca dhe Egjipti si dhe një sekretariat, vendndodhja e të cilit do të vendoset gjatë samitit./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle