Duka: Sistemi ndihmon, por vendosin arbitrat

Polemikat dhe diskutimet e shumta rreth arbitrimit në Superligën shqiptare sjellin nevojën e implementimit sa më shpejt të teknologjisë VAR. Ky është edhe projekti i radhës që Federata Shqiptare e Futbollit synon të aplikojë në futbollin tonë.

FSHF ka ngritur një grup pune dhe kanë filluar seminaret edhe më përfaqësues të FIFA-s. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka kërkon të përshpejtohet puna në mënyrë që sistemi të jetë funksional që prej sezonit 2021-2022.

“Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e kam fjalën për pjesën tonë, në mënyrë që pas implementimit të sistemit të mos bëjmë gabime trashanike që edhe ndodhin kur ti nuk e përdor mirë atë informacion që të jep teknologjia. Përgatitja e kapaciteteve njerëzore është më e rëndësishme sesa dy-tre kamera apo dy-tre pajisje që vendosin vizat për pozicionin jashtë loje. Objektivi ynë është që ta fillojmë në sezonin 2021-2022”, tha ai.

Projekti për implementimin e sistemit VAR parashikohet të shtrihet në disa faza, ku në fillim synohet të ngrihet një grup pune me ekspert arbitrimi, arbitra që janë në sistem aktualisht, ekspert teknologjie, ekspert ligjorë dhe nga sektori garave për të ndjekur të gjithë trajnimet dhe kualifikimet e nevojshme.

Tv Klan