Anduena Llabani: Metafora më e përdorur sot në median shqiptare është fakti se Kosta Trebicka ka qenë një dëshmitar kyç në hetimet që Prokuroria e Përgjithshme nisi pas tragjedisë se Gërdecit në 15 mars të këtij viti. Ndërsa një pjesë tjetër e opinionit është kundra këtij fakti. Në këtë rast i për detyrë organit qendror të akuzës, të japë versionin e tij zyrtar nëse Kosta Trebicka ka qenë dëshmitar i rëndësishëm në informacionet që ai ka dhënë për të ashtuquajturën trafik i armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Dhe nëse vërtetë Kosta Trebicka, sipas disa informacioneve nën zë të këtij organi deklaron që ka dhënë informacione të rëndësishme, atëherë përse ai nuk është marrë në mbrojtje nga prokuroria.”

Pavarësisht situata dhe rrethanave në lidhje me mekanizmin e ngjarjes, vdekja e Kosta Trebicka ka ndezur dhe një debat juridik, atë të pozitës të së ndjerit Trebicka, si dëshmitar në një çështje kyç dhe mungesës së mbrojtjes së tij si dëshmitar që ka dhënë informacione për një dosje ende nën hetim.

Genc Gjokutaj: “Baza ligjore është fare e qartë në lidhje me këtë aspekt. Unë dua të përmend këtu ligjin me numër 9205 datë 15.03.2004, që titullohet për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Ky ligj ka të detajuar organe të cilat zbatojnë dhe organe të cilat e propozojnë mbrojtjen e një dëshmitari të caktuar. Flitet në shtyp, nga individë të ndryshëm, që ka munguar një kërkesë e të ndjerit Trebicka për t’u marrë në mbrojtje si dëshmitar. Kjo nuk është e vërtetë pasi në bazë të ligjit prokurori i përgjithshëm ngarkohet për të bërë propozime dhe po sipas këtij ligji, një nga elementët mund të jetë kërkesa e dëshmitarit për t’u mbrojtur, por organi i procedurës nuk mjaftohet vetëm me kërkesën e një dëshmitari. Pasi në burime të ndryshme me anë të një përgjimi, informacioneve të ndryshme mund të vihet në dijeni që ky dëshmitar është i rrezikuar. Pra marrim rastin kur dëshmitari nuk ka dijeni që është i rrezikuar, por që realisht ai rrezikohet. Në këtë rast fundi i tij tragjik solli si pasojë vdekjen e tij, por procesi penal ka pësuar një goditje”.

Por cili do të jetë fati i dëshmisë që Trebicka ka dhënë përpara grupit të hetimit, përpara të cilëve nuk është betuar. 

Genc Gjokutaj: “Çështja është në hetim dhe të gjitha rrethanat që lidhen me çështjen, me fakte, me marrjen e provës, me sigurinë e dëshmitarëve dhe  bashkëpunëtorëve të drejtësisë janë atributi i prokurorit. Pasi ai është titulli i hetimit.”

Gjokutaj deklaron se vlera e deklarimeve të dhëna përpara prokurorëve nuk mund të ripërsëritet më përpara një trupi gjykues dhe pse kjo dëshmi ligjërisht merret nën cilësinë e provës.

Genc Gjokutaj: “Marrja e një dëshmie nuk përbën mbretëreshën e provave ashtu si kundër të gjitha provat e tjera kanë vlerë të barabartë dhe ato në çdo rast çmohen nga gjykata në rast se si gjykohen. Unë do t’iu them që kjo dëshmi aspak nuk e humb vlerën ligjore, pasi përsa i përket bazës procedurale do t’iu përmendja nenin 369 që bën fjalë për leximet e lejueshme në pikën 2 thotë, e shpreh shprehimisht qartë, në kërkesën e palëve gjykata mund të vendosë të lexohen aktet e marra gjatë hetimeve paraprake, ku për shkak të rrethanave të paparashikuara ato nuk mund të përsëriten më.”

Dhe kjo është një rrethanë e paparashikuar, vdekja e dëshmitarit, por dëshmia e tij lexohet në sallën e gjyqit me kërkesë të prokurorit.

I gjithë problemi që ngrihet është se teorikisht çështja vështirësohet, kur një dëshmitar nuk jeton më ka dhënë më shumë se një dëshmi dhe në qoftë se ato janë kontradiktore me njëra-tjetrën.

Genc Gjokutaj: “Unë nuk mendoj që procesi i hetimit do të fillonte dhe të  baronte  vetëm me dëshminë e të ndjerit Kosta Trebicka. Ai mund të shërbejë si informacion për të vajtur tek prova si një dëshmi që mbështet provat e marra pas verifikimit të thënieve të tij. Vdekja e dëshmitarit nuk mund të pengojë hetimin në pistat që ai ka ngritur gjatë dëshmisë së tij.”/tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani