Një person humbi jetën për shkak të komplikacioneve, SHBA ka numrin më të lartë të rasteve globalisht

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raportuar vdekjen e dytë nga lia e majmunëve. CNN raporton se një burrë mosha e të cilit nuk bëhet e ditur që qëndronte i shtruar në spital në Los Angeles prej disa ditësh, për shkak të komplikacioneve ka humbur jetën.

Departamenti dhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) përcaktuan se vdekja ishte për shkak të lisë së majmunëve. 

Është vdekja e dytë e një personi të diagnostikuar me këtë sëmundje në Shtetet e Bashkuara. Teksasi muajin e kaluar raportoi vdekjen e parë në një person me imunitet të dobët, i cili u diagnostikua me linë e majmunëve. Megjithatë, ai rast është ende nën hetim për të parë se çfarë roli ka luajtur lija e majmunëve në vdekjen.

Lija e majmunëve është rrallë fatale, por njerëzit me sistem imunitar të dobët mund të kenë më shumë gjasa të sëmuren rëndë ose të vdesin, thonë zyrtarët shëndetësorë. Lija e majmunëve mund të shkaktojë skuqje, ethe, dhimbje trupi dhe të dridhura, por relativisht pak njerëz kërkojnë shtrimin në spital dhe vetëm një pjesë e vogël e vdekjeve në mbarë botën kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me sëmundjen.

Më shumë se 21,985 raste me linë e majmunëve janë raportuar në Shtetet e Bashkuara në mesin e homoseksualëve, biseksualëve, sipas CDC. Administrata e Biden dhe CDC janë kritikuar se nuk po marrin masa për të trajtuar virusin dhe javët e fundit njoftuan përpjekjet për të shpërndarë gati 2 milion vaksina shtesë. 

Rastet në disa qytete të mëdha të SHBA-së duket se janë në rënie, duke u përputhur me tendencat që shihen në Evropë dhe ekspertët janë optimistë se shpërthimi mund të ketë arritur kulmin në vendet që u goditën më shumë. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të rasteve globalisht. Kalifornia ka regjistruar shumicën e rasteve në shkallë kombëtare, me më shumë se 4,300. 

Klan News