Ata që djegin goma para bashkisë, kanë 8 muaj pa paguar taksa. Me këtë deklaratë, kryebashkiaku Erion Veliaj i është përgjigjur opozitës në protestën e 11 përpara bashkisë.

Shikoj ata që djegin goma dhe kanë tetë muaj që nuk e paguajnë ujin, dritat dhe taksat, por shikoj edhe familjet modeste në Zall Bastar që nuk lënë një ditë pa i paguar, aq sa është kontributi, sepse kështu funksionon, secili duhet të kontribuojë dhe pastaj, me këtë kontribut, bashkia duhet ta shpërndajë, që të ketë mirëqenie kudo. Të ulërasësh me të madhe dhe të thuash poshtë taksat, ndërkohë që taksat janë modeste dhe paguhen 100% në Zall Bastar dhe të dalësh si gjel mbi pleh dhe të kesh tetë muaj që nuk paguan ujë dhe drita e taksa, ky është turp i madh

Teksa përuroi urën e re në Zall Bastar, Veliaj tha se me investimet e bashkisë, distanca e kësaj zone me Tiranën shkurtohet vetëm në 15 minuta.

“Nuk do presim zgjedhje të tjera për të bërë inaugurime. Çfarë është për t’u bërë, çfarë është fjalë për t’u mbajtur dhe punë për t’u kryer, do ta kryejmë kur është moment i duhur. Gjithmonë e më shumë njerëz në Tiranë ose të huaj, po kërkojnë prona në fshat, po dalin në pension në fshat, po i kalojnë vitet e pleqërisë në fshat. Është vetëm çështje kohe që edhe Zall Bastari të përfitojë nga këto të mira materiale të Tiranës”.

Sipas Veliajt, investimet në zonat periferike po kryhen me të njëjtat standard si në qendër të kryeqytetit, duke ndihmuar në zhvillimin e turizmit.

Tv Klan