Kryebashkiaku Erion Veliaj priti në një takim presidentin e rajonit të pavarur Friuli-Venezia-Giulia, Massimiliano Fedriga, ku vuri theksin në nevojën e rritjes së bashkëpunimit në të ardhmen, përmes nxitjes së sipërmarrjeve e projekteve në fusha të ndryshme.

“Duam të bëjmë më shumë. Kemi disa ambicie të përbashkëta, ambicie digjitalë, për të shkuar në punët e gjeneratës së re, me qendrat kërkimore që ju keni, me Piramidën, me Zonën e Lirë Ekonomike që kemi, por edhe në nivel bashkish. Ajo që mund të bëjmë me Triesten, po t’i referohemi historisë kemi bërë shumë në të kaluarën, duhet të bëjmë shumë edhe në të ardhmen.”

Presidenti Fedriga vlerësoi punën e bërë për transformimin e Tiranës, duke e konsideruar atë si një partner strategjik në bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Shqipëria, dhe veçanërisht Tirana, përfaqësojnë një partner strategjik dhe thelbësor për mundësitë reciproke që mundemi të ndërtojmë së bashku. Sipërmarrjet italiane do munden të gjejnë mundësi të madhe për të investuar në sektorin e inovacionit këtu sepse mund të jenë oportunitete jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë hapësirën e Ballkanit, në të cilën Shqipëria është pikë referimi me kryeqytetin e saj, Tiranën.”

Kreu i Bashkisë së Tiranës ftoi sipërmarrjet italiane që të aplikojnë në zonën e lirë ekonomike.

Tv Klan