Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka shprehur keqardhjen për vrasjen e efektivit të policisë në Fier, Novruz Cenalia.

Përmes një mesazhi, Rrumbullaku është zotuar në emër të Policisë së Shtetit për të nxjerrë përpara ligjit autorin e vrasjes. Ai shpreh keqardhjen që jeta e një polici u ndërpre në mes nga dora e një vrasësi në arrati.

Asllan Mërnica 23 vjeç është shpallur në kërkim për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” në Fier.

MESAZHI I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT, MUHAMET RRUMBULLAKU:

Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 Majit 2024. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, që është zhytur në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit.

Për të gjithe ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë. Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë.

Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit. E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit ishte e shenjtë. Kushdo që guxon të cënojë uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.