Sqarimi i titujve të pronësisë, ka qenë ndër çështjet kryesore në agjendën e qeverisë. Këshilltarja e kryeministrit për ekonominë tha, se problemi i titujve të pronësisë është i mbartur prej shumë vitesh, por qeveria ka ngritur institucione të specializuara, puna e të cilave tashmë ka hyrë në fazën finale.

Suzana Guxholli: “U krijua institucioni i kthimit të pronave, i cili u konceptua në mënyrë të tillë që të siguronte shpejtësi në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe në shqyrtimin e dosjeve me pluhur të mbartura nga 8 ose 9 vjet më parë nga qeveritë e kaluara. Nga ana tjetër u ngrit ALUIZMI, institucion i cili do të bënte legalizimin e të gjithë atyre aseteve dhe tokave të cilat ishin në përdorim prej vitesh të pa njohura legalisht. Është përmirësuar regjistri i pronave, i cili gjithashtu ndihmon dhe lehtëson procesin e investimit. Të tëra janë pothuajse në stadin final.”


Një ditë më parë edhe ambasadori gjerman në vendin tonë kërkoi zgjidhjen sa më parë të çështjes së pronës, çka do i hapte dritën jeshile një fluksi më të madh investimesh. Për zonjën Guxholli, interesi i gjermanëve në vend ka qenë i lartë këto vitet e fundit pavarësisht se pak prej tyre kanë qenë fitues në tenderët publik.

Suzana Guxholli: “Vërtet nuk është i madh numri i kompanive gjermane që kanë fituar tenderin, por numri i kompanive gjer,mane që kanë konkurruar nëpër këto tendera ka qenë shumë i madh. Emocionalisht do të donim të ishim në një investitor gjerman, por ne nuk mund të diskriminojmë një kompani franceze apo norvegjeze apo italiane e cila sjell një ofertë më të leverdishme dhe më ekonomike për pronat publike.”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro