7 personazhe të botës së krimit, të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme janë të lokalizuar dhe ndaluar në Dubai.

Në një komunikim me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se kjo prokurori ka 7 praktika të hapura ekstradimi me Dubain, deri më tani të gjitha pa sukses.

Të shpallurit në kërkim nga SPAK dhe që qëndrojnë atje konsiderohen nga hetuesit me rol drejtues në grupet kriminale të goditura në Shqipëri gjatë 3 viteve të fundit.

Plaurent Dervishaj dhe Florenc Çapja janë në mesin e personazheve të parë të cilët prej 3 vitesh i shpëtojnë përballjes me drejtësinë në Shqipëri.

Teksa kohët e fundit u ndalua edhe Durim Bami, i shpallur në kërkim nga operacioni i fundit “Revansh”, nën dyshimet se kishte përgatitur atentat ndaj Arben Ndokës dhe disa të tjerëve.

Për Dumanin, problemi i mos ekstradimeve nga Dubai është një problem me të cilin hasen edhe vende të tjera në Bashkimin Europian.

Ndërkohë autoritetet tona kanë bërë 3 kërkesa për lidhjen e një marrëveshje me Emiratet, e cila ka mbetur ende pa një përgjigje konkrete.

Tv Klan