Ambasadori i komisionit evropian, Helmut Lohan, kërkoi miratimin urgjent të kodit  zgjedhor, një çështje e nxehtë e debatit politik.

Lohan nuk ka bërë asnjë koment mbi qëndrimet e forcave politike mbi këtë çështje pas kthimit që presidenti i republikës i bëri ligjit zgjedhor, por vëmendjen e fokusoi në afatet e ngushtuara në pritje  të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2009.

Helmut Lohan: “Komisioni evropian ka nënvizuar se kodi zgjedhor duhet të adoptohet shumë kohë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të Qershorit 2009. Jemi duke iu afruar fundit të vitit 2008 dhe kjo e bën akoma dhe më urgjente finalizimin e procesit për adaptimin e këtij kodi.”

Çështje të reformës zgjedhore, por edhe asaj në drejtësi janë diskutuar dhe gjate takimit qe presidenti i republikës Bamir Topi zhvilloi me ambasadorin amerikan, John Withers.

Në faqen zyrtare të presidencës thuhet se kreu i shtetit ka ndarë të njëjtin mendim me diplomatin amerikan mbi rëndësinë e këtyre reformave në proceset integruese të vendit.

“Të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Pa shtetin e së drejtës demokracisë do t’i mungonte gjaku nëpër vena”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan.

As fuqia, as posti, as statusi shoqëror, as pasuria nuk mund të influencojnë në barazinë e sistemit ligjor”, ka shtuar më tej Withers, i pranishëm në ceremoninë e dekorimit me “medaljen e mirënjohjes” nga presidenti Topi të juristes amerikane, Melissa Schraibman, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj në ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Zhvillimeve të fundit politike në vend dhe konkretisht debatit mbi projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë i është referuar dhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch.

Gjatë një deklarate për median të bërë në qytetin e Durrësit ai është shprehur se kjo çështje duhet të zgjidhet me konsensus dhe gjithëpërfshirje. 

“Unë mendoj se është e rëndësishme për çdo vend që të përballet me të kaluarën e tij. Ka disa probleme kushtetuese me projektligjin për vetë natyrën sensitive që ai ka. Ligji përpara se të hidhet në votë duhet t’i paraqitej OSBE-së dhe Këshillit të Evropës”, ka theksuar Bosh./tvklan.al